E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet ish-bosi i piramidave, Lefter Cenaj



Laureta Rryçi

Ish-bosi i firmës piramidale “Cenaj&Co”, Lefter Cenaj, u është dorëzuar sot autoriteteve shqiptare. Rreth orës 15:00 të ditës së sotme i akuzuari për mashtrim në vlera të mëdha i është dorëzuar në Aeroportin e Rinasit përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Ekstradimi i Lefter Cenajt nga Greqia është arritur falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Athinën. 61-vjeçari është shpallur fajtor nga Gjykata e Tiranës për veprën penale të “mashtrimit” në vlerën financiare 5.734.415.506 lekë për 25.537 herë duke e dënuar atë me 15 vjet burg, por për shkak të kërkesës për gjykim të shkurtër ka përfituar ulje të dënimit në masën 1/3, duke u dënuar përfundimisht me 10 vjet burg. Ai ra në prangat e policisë greke në Janinë në vitin 2000, ndërsa vuajti atje dënimin prej 8 vitesh për të njëjtën vepër penale, atë të mashtrimit. Bazuar në kërkesën e palës shqiptare, autoritetet greke mundësuan menjëherë ekstradimin e tij në Shqipëri, ku do të vuajë dënimin prej 10 vitesh burg.
Dënimi
Lefter Cenaj, ish-bosi i firmës piramidale me të njëjtin emër, është dënuar me 10 vjet heqje lirie. Kryetari i trupit gjykues, Elvis Kotini, e ka deklaruar fajtor nën akuzën e "mashtrimit në shuma të mëdha" ish-bosin e firmës piramidale, duke e dënuar me 15 vjet burg. Lefter Cenaj, i cili në atë kohë u gjykua në mungesë është përfaqësuar nga avokati i tij mbrojtës, i cili kishte kërkuar gjykim të shkurtuar për klientin e tij. Në këtë mënyrë ish-bosit të firmës piramidale "Cenaj" do t'i ulet një e treta, duke iu përmbledhur në 10 vjet heqje lirie. Prokurori i çështjes, Albert Demirneli, kërkoi për të 15 vjet heqje lirie. Lefter Cenaj akuzohet për mashtrimin e 55 mijë kreditorëve përkundrejt shumës prej 5 miliardë lekësh.
Ish-bosët
Pasi kishin kaluar rreth 5 vjet nga rrëzimi i firmave piramidale, Gjykata shqiptare dha për ish-bosët e këtyre firmave 139 vjet burg. Me i fundit prej tyre ishte Lefter Cenaj, i cili u nga Gjykata e Shkallës së Parë me 10 vjet heqje lirie. Ndërsa ishte po në pritje vendimi për Rrapush Xhaferrin, tre djemtë dhe vëllain e tij, kur prokuroria ka kërkuar për të pestë eksponentët e firmës "Xhaferri" 56 vjet heqje lirie. Nga vendimet e deritanishme të dhëna nga gjykata, vendin e parë të të dënuarve e mban ish-bosi i firmës "VEFA", Vehbi Alimuça, i cili është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë me 25 vjet heqje lirie dhe më pas ky vendim është ulur me 5 vjet nga Gjykata e Apelit. Ndërsa më me "fat" rezultoi të ishte Maksude Kadena, ish-drejtuesja e fondacionit "Sudja". Gjykata e Shkallës së Parë e ka dënuar atë me 5 vjet heqje lirie dhe tashmë ajo e ka kryer dënimin dhe është e vetmja që ndodhet jashtë kangjellave të burgut. E veçanta e ish-bosëve të firmave piramidale është se shumica e tyre janë dënuar apo gjykuar në mungesë.

Deklarata e Arapit në Komisionin e Transparencës

“Në periudhën që ne i kemi marrë në administrim, fitimet e bizneseve operuese kanë qenë tepër minimale. Për shoqërinë ‘VEFA’ humbjet kanë qenë 430 milionë lekë, shoqëria ‘LEKA’ me fitim 40 milionë lekë, ‘Silva’ me dy aktivitete biznesi një fitim prej 2.5 milionë lekësh, ‘Cenaj’ me humbje 40 milionë, ndërsa ‘Kamberi’ me humbje 22 milionë”.

Dënimet për ish-bosët e piramidave
Vehbi Alimuça - Në mars 2001 Gjykata e Shkallës së Parë e dënon me 25 vjet, në dhjetor të po të njëjtit vit Gjykata e Apelit jep 20 vjet burg

Shemsie Kadria - Në janar të vitit 2001, Gjykata e Shkallës së Parë jep 17 vjet burg, në qershor 2001 Gjykata e Apelit e lë në fuqi

Fitim Gërxhalliu - Në janar të vitit 2001 Gjykata e Shkallës së Parë jep 20 vjet burg, në qershor të po atij viti Gjykata e Apelit 11 vjet burg

Gani Kadria - Në janar të vitit 2001 Gjykata e Shkallës së Parë jep 20 vjet burg, Gjykata e Apelit 10 vjet burg

Maksude Kadena - Në shkurt 2001 Gjykata e Shkallës së Parë jep 5 vjet burg

Bashkim Driza - Në muajin korrik të vitit 2002, Gjykata e Shkallës së parë e dënon me 16 vjet burg

Arben Qepeni - Në muajin korrik të vitit 2002, Gjykata e Shkallës së Parë e dënon me 12 vjet burg

Ferdinand Kamberi - Në muajin nëntor 2002, Gjykata e Shkallës së Parë e dënon me 18 vjet burg

Mustafa Leka - Në vitin 2002 Gjykata e Shkallës së Parë jep 20 vjet burg

Lefter Cenaj - Në shkurt 2003 Gjykata e Shkallës së Parë jep 10 vjet burg

Shoqëritë që u kthyen në piramida
Shoqëria "M. Leka", Mustafa Leka

Shoqëria "Silva", Pëllumb Shehu

Shoqëria "Global Foods", Gani Shehu

Shoqëria "Cenaj & Co", Lefter Cenaj

Shoqëria "Kamberi sh.p.k.", Ferdinand Kamberi

Shoqëria "VEFA Holding", Vehbi Alimuçaj

Shoqëria "Gjallica", Shemsie e Gani Kadria, Fitim Gërxhalliu

Shoqëria "Populli", Bashkim Driza, Adem Qepeni

Shoqëria "Xhaferri", Rrapush, Liman dhe Asllan Xhaferri

15 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›