Ekstradohet nga Greqia një person i dënuar për trafik të lëndëve narkotike

TIRANË, 13 qershor /ATSH/ Policia e Gjirokastrës njoftoi sot se është ekstraduar nga Greqia drejt vendit tonë Surja Sinani, i dënuar me 6 vite burgim për trafik të lëndëve narkotike.
Sipas njoftimi të Policisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve ekzekutuan vendimin penal të datës 05.04.2016, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar Surja Sinani, 48 vjeç, i lindur në Gjirokastër, i cili u ekstradua ditën e djeshme, nga Greqia në Shqipëri.
Gjykata e Gjirokastrës e ka dënuar këtë shtetas, me 6 vjet burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Në vitin 2014, shtetasi Surja Sinani, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, transportonte rreth 700 pako me kanabis sativa, me peshë totale rreth 837 kilogramë. 48-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme. /a.f/r.e/