Ekstradohet nga Greqia shqiptari i dënuar me 18 vite burg për trafikim fëmijësh, një tjetër nga Gjermania për narkotikë

Interpol Tirana ka sjellë në Shqipëri dy shtetas të dënuar për krime të rënda, pas ekstradimit të tyre nga Greqia dhe nga Gjermania.
Është ekstraduar nga Greqia Mustafa Saliu, i cili është dënuar nga Gjykata e Durrësit me 18 vjet burg për “Trafikim të fëmijëve”, kryer në bashkëpunim dhe nëpërmjet dhunës.
Sipas vendimit gjyqësor, gjatë viteve 2001–2002, Saliu, së bashku me persona të tjerë, ka trafikuar fëmijë nga Shqipëria drejt Greqisë, ku ata janë shfrytëzuar për lypje në rrugët e Athinës, nën presion dhe kontroll të vazhdueshëm.
Ndërkohë, nga Gjermania është transferuar për të vuajtur dënimin në Shqipëri shtetasi Florjan M., (Cojocareanu), i dënuar me 8 vjet e 10 muaj burg për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, të kryer në territorin gjerman.
/rtsh.al/