Liria e medies në Shqipëri – Rekomandimet e BE-së në kuadër të anëtarësimit, adresohen 8 probleme kyçe

Liria e medies në veçanti, dhe e institucioneve në përgjithësi, mbeten prioritet në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Gjatë një tryeze me grupet e punës mbi materialet e kërkuara nga përfaqësues të Komisionit Europian, në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit u diskutua për modalitet e zbatimit të këtij procesi, që çon drejt një drafti ligjor dhe pret miratimin e institucioneve ligjzbatuese.
“Gjatë gjithë këtyre takimeve ne kemi adresuar tetë problemet kyçe që dalin nga raporti i BE-së: siguria e gazetarëve, kushtet e punës së gazetarëve, aksesi në informim, transparenca e medieve, pronësia e medieve, pavarësia e transmetuesit publik, pavarësia e Autoritetit Rregullator të Medieve Audiovizive (AMA). Kjo platformë nuk bën ligje. Ajo propozon në mënyrë shumë të detajuar dhe të specifikuar se ku duhet të bëhen ndryshimet, pastaj i ngelet parlamentit dhe institucioneve që merren me hartimin e ligjeve për të ndërtuar bazën legjislative që kërkohet medoemos për të plotësuar kapitullin për lirinë e medieve,” thotë Mark Marku, dekan i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë.
Radha i takoi institucionit të medieve audiovizive të ishte kryefjalë e dialogut të strukturuar në këtë takim me temën “Miratimi i masave ligjore për forcimin e autonomisë së AMA-s”.
“Ne analizojmë problematikën pastaj sjellim propozime. Mediet, organizatat e përfaqësuesve të medieve, gazetarët, janë a priori mosbesues ndaj qeverisë, sepse është një nga drejtimet nga i vijnë tentativat për të kontrolluar mediet. Për të shmangur këtë, përfaqësia e BE-së në Tiranë e ka marrë përsipër procesin,” shton z. Marku.
Materiali është i përgatitur nga ekspertë të Këshillit të Europës, në kuadër të projektit të përbashkët BE/KE “Promovimi i lirisë së shprehjes në Shqipëri nëpërmjet dialogut të hapur”.
Grupi i punës përbëhet nga përfaqësues gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë të pavarur vendas dhe të huaj, si dhe përfaqësues të institucioneve qeveritare.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/