Ekzekutohen masa sigurie për 9 persona të implikuar në ndërtim të paligjshëm tek Rana e Hedhun

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Policia e Lezhës njoftoi sot se janë ekzekutuar masat e sigurisë për nëntë shtetas, të cilët akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, në lidhje me një rast të ndërtimit të paligjshëm në zonën e Ranës së Hedhun.
Masat janë ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Lezhës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Shkodër–Lezhë, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lezhës, datë 27.10.2025.
Konkretisht, ndaj shtetasve:
– P. T., 67 vjeç, banues në fshatin Shënkoll, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Falsifikim i vulave dhe stampave”;
– G. M., 34 vjeç, banues në Shëngjin, ish-drejtor i ASHK, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale ”Shpërdorimi i detyrës”;
– A. Sh., 37 vjeç, banues në Lezhë, ish përgjegjës për legalizimet i ASHK, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale ”Shpërdorimi i detyrës”;
– A. M., 35 vjeç, banues në Lezhë, ish-përgjegjës për legalizimet i ASHK, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale ”Shpërdorimi i detyrës”;
– L. B., 65 vjeçe, banuese në Tiranë, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”;
– H. Xh., 65 vjeç, banues në Elbasan, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”;
– K. M., 66 vjeç, banues në Tiranë, ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale të IKMT, u ekzekutua masa e sigurisë “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– F. Gj., 41 vjeç, banues në Lezhë, ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale të IKMT, u ekzekutua masa e sigurisë “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– M. N., 50 vjeç, banues në Lezhë, me detyrë Ndihmësspecialist i Policimit në Komunitet, u ekzekutuan masat e sigurisë “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të detyrës publike”, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
/a.f/r.e/