Ekzekutohet me katër plumba ish- mundësi i Dinamos

Leonard Bilali u qëllua pas shpine nga persona të panjohur. Dy muaj më parë, u plagos rëndë i vëllai
TIRANE- Ekzekutohet me katër plumba pas shpine ish- mundësi i Dinamos, Leonard Bilali, 27 vjç, banues në lagjen Selitë të Tiranës. Ngjarja ndodhi dje në mbrëmje vonë rreth orës 21:00, në rrugën "Irfan Tomini", kur së paku tre persona të panjohur iu afruan Bilalit dhe shkrehën ndaj tij katër plumba nga një armë zjarri pistoletë.
Viktima u dërgua menjëherë në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, por për shkak të plagëve të rënda ai mundi të mbijetonte më pak se një orë në spital. Viktima mësohet se kishte jetuar disa kohë në Itali si emigrant ku edhe kishte punuar në këtë vend ndërsa ishte kthyer pak kohë më parë në Shqipëri.
Ngjarja ndodhi vetëm dy muaj, pasi persona ende të panjohur deri më tani tentuan të vrasin vëllain e këtij të fundit, Arben Bilalin, në afërsi të stadiumit "Selman Stërmasi", ndërsa ishte në një lokal.
Ndërkaq, dje në mbrëmje, Bilali po kthehej në drejtim të banesës së tij që ndodhet pranë ish- KESH, kur persona të panjohur në rrugën "Irfan Tomini", e qëlluan atë me armë zjarri. Sipas burimeve të Policisë, viktima është qëlluar nga pas, ndërsa autorët kanë qenë katër persona një prej të cilëve, sipas burimeve, ka qenë me pantallona të shkurtra.
Dyshimet e policisë janë se krimi mund të ketë lidhje me veprimtarinë e tij, për shkak se sipas burimeve të policies, dyshohet se viktima mund të jetë përfshirë në ndonjë aktivitet të paligjshëm.
Dyshimet kryesore të policisë ishin se ai mund të jetë përfshirë në ndonjë aktitet që lidhet me trafik femrash, por një fakt i tillë ende nuk ishte zyrtar për ta. Ndërkaq, në vitin 2006, ish- mundësi i "Dinamos" është arrestuar nga policia, për rrahjen e një shtetasi turk, i cili e kishte denoncuar për ushtrim dhune.
Ngjarja e djeshme, tashmë zbulon për policinë faktin se vëllai i tij, Arben Bilali, mund të jetë qëlluar gabimisht në muajin qershor, kur edhe u plagos rëndë nga persona të panjohur, ose ai është qëlluar me qëllim hakmarrjeje ndaj Leonardit i cili u vra dje në mbrëmje.