Olldashi: Në verë kemi 50% më shumë të aksidentuar

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Traumës, Olldashi shpjegon shkaqet kryesore të aksidenteve të muajt e verës
Muajt e verës po shënojnë gjithnjë e më shumë viktima për shkak të aksidenteve rrugore. Nëse do të behët një krahasim me stinët e tjera në verë shtohet me 50% më shumë numri i të aksidentuarve. Këtë e pohon për gazetën drejtori i Qendrës Kombëtare të Traumës, Fatos Olldashi i cili shpjegon edhe shkaqet kryesore të këtij fenomeni.
Aksidentet
Ditët e nxehta kanë dhënë pasoja negative dhe në shtimin e numrit të traumave dhe aksidenteve dhe kjo reflektohet sidomos në Qendrën Kombëtare të Traumës pasi dhjetëra të dëmtuar paraqiten aty çdo ditë.
Pa diskutim që po përballemi me fluks pacientësh madhe nëse do bënim një krahasim me stinët e tjera numri i aksidenteve është shtuar me 50%"- pohon Olldashi duke shtuar se për shkak të plagëve të rënda disa prej tyre nuk arrijnë të mbijetojnë. Megjithatë ai siguroi se i gjithë stafi mjekësor është në gatishmëri, për të pritur çdo rast që paraqitet në Spitalin Ushtarak, për shkak të ndonjë traume që kanë pësuar.
Shkaqet
Nga të dehurit e deri tek ata që nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Madje edhe personat që duan të argëtohen me hedhje në pishina apo në det, bëhen objekt i traumave që përfundojnë në Spitalin Ushtarak.
Por, fatkeqësisht, ata që po përgjakin rrugët e vendit për shkak të aksidenteve janë edhe emigrantët, të cilët në këmbim të pushimeve që kërkojnë të bënë në atdhe pësojnë trauma.
Sipas drejtorit të Qendrës së Traumës, Fatos Olldashi, numri i këtyre lloj aksidenteve vjen gjithnjë e në rritje. "Vihet re një fenomen për personat që vijnë nga jashtë, sepse aksidentet janë të pritshme shpesh te ata.
Kjo mund të shpjegohet me faktin se janë mësuar me një traditë tjetër, me rregulla të tjera dhe nuk dinë sistemin tonë rrugor",- pohon Olldashi, se në këtë mënyrë drejtuesit e automjeteve shkaktojnë aksidente, ku shpesh janë të shoqëruar me familjet e tyre.
Gjithashtu ai pohon se dominante janë edhe aksidentet nga hedhjet që bëhen në pishina apo në det, lojërat që bëhen në det, ku në disa raste kanë qenë fatale për jetën, pasi u është dëmtuar shtylla kurrizore ose kanë humbur jetën. Por ata që shkaktojnë aksidente në mënyrë periodike, sipas Olldashit, mbeten të dehurit, të cilët tradicionalisht janë bërë objekt i traumave, duke shkaktuar një numër të madh viktimash.
E ndërsa bilancet e përgjakjes së rrugëve sa vijnë dhe bëhen më tragjike, duket se masat për parandalimin e tyre janë ende të pakta. Kështu, në rrugët e kryeqytetit ende konstatohen kundravajtje të rënda, me pasojë vdekjen, si nga drejtues automjetesh ashtu edhe motoçiklistësh pa skafandra, të cilët futen në çdo cep të rrugës së lirë, pa pyetur për semafor.
Fenomeni, vendi ynë rekord me aksidentet
Vendi ynë mban rekord sa i takon numrit të aksidenteve dhe kjo vërtetohet nga numri i lartë i vdekjeve dhe pacientëve që paraqiten në urgjencat e spitaleve për ndihmë mjekësore.
Ndërsa studimet e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se Shqipëria ka 10 të vdekur për 15 mijë banorë, një numër që është 3.5 herë më i lartë se ai i vendeve të Europës Lindore. Ndërkohë, specialistët shpjegojnë shkaqet që sjellin aksidentet dhe masat që duhen marrë.