Elbasan, Llatja: Lëndë drusore me çmim 20% më lirë për familjet në nevojë

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja tha sot se për të disatin vit, fondi pyjor i kësaj bashkie nuk jepet për palë të treta, por administrohet nga vetë bashkia për qytetarët dhe shtresat në nevojë.
“Ky fond shërben për shtresat në nevojë, fillimisht pranë qytetit, pastaj për njësitë administrative që nuk kanë një fond pyjor për të shfrytëzuar apo masive pyjore për ngrohjen në dimër.
Ka goxha interes nga qytetarët e Elbasanit, sepse çmimi është shumë më i lirë se tregu. Baza materiale është e bashkisë Elbasan dhe është një provë e mirë, sepse nuk dallim që ta shesim lëndën për palë të treta, por të gjithë procesin e kryen vetë bashkia e Elbasanit për t’i ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, më pas pensionistëve dhe të gjithë atyre që kanë nevojë në Elbasan apo njësitë administrative që kanë nevojë për dru zjarri për ngrohje”, thotë Llatja.
Sipas, kryetarit të bashkisë Elbasan, “faza e parë është plotësimi i nevojave për të gjitha kopshtet, shkollat dhe çerdhet, pavarësisht se në një pjesë të mirë të shkollave ngrohja bëhet me kaldaja me pelet. Pasi merren masat, vazhdohet me shitjen për qytetarët dhe shtresat në nevojë.
Çmimi është 20% më i lirë në fushën tonë të druve, se në tregun e Elbasanit apo njësive të tjera administrative”.
/a.f/r.e/