Manastirliu prezanton dy nxënëset e talentuara të gjimnazit “Sami Frashëri” që po spikasin në letërsinë shqipe

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ka prezantuar sot, dy nxënëse nga gjimnazi “Sami Frashëri” në kryeqytet, që me talentin e tyre po spikasin në botën e letërsisë shqipe.
“Aleksandra Pano, është në klasën e 11-të, autore e tre librave: “Fantazma në bulevard”, “Lili dhe varësja e Sirenës”, ”Të humbur në detin e pemëve”, ndërsa Regjina Cëraku është klasën e 12-të dhe është autore e romanit “Pafajësi e përgjakur””, thotë ministrja në postimin në rrjetet sociale.
Më herët sot, Manastirliu solli një tjetër shembull talenti të një gjimnazisti në shkollën “Abdulla Keta” në Tiranë, që e ka kthyer pasionin për punimin e drurit në një angazhim përtej orarit mësimor, duke u përfshirë në programet “Art, Zeje dhe Sport”.
“Jo vetëm mësuesit, por edhe stafet arsimore e kanë kuptuar rëndësinë e këtij programi dhe vetë shkollat janë duke u munduar të zhvillojnë degët dhe aktivitetet e tij. Sporti është një pjesë integrale e këtij programi, dhe këtë vit po vazhdojmë me mbi 800 ekipe sportive në shkolla për vajza dhe djem. Gjithashtu, po shqyrtojmë shtimin e disiplinave të reja, si shahu, i cili ka marrë një interes të madh nga nxënësit. Duke filluar nga viti shkollor 2025, planifikojmë të përfshijmë këtë disiplinë si pjesë të projektit “Art, Zeje, Sport”,” theksoi ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Programet jashtëshkollore dhe mbështetja për zhvillimin e nxënësve janë një tjetër pikë kyçe e Planit të Ri të Veprimit për rritjen e sigurisë dhe zhvillimit të nxënësve në shkolla.
“Art dhe zeje është gjithashtu pjesë e programit “Shkolla e hapur” me Planin Ri të Veprimit për rritjen e sigurisë dhe zhvillimit të nxënësve në shkolla. Përveç aktiviteteve kreative dhe kulturore, ne po pilotojmë programe si “Shkolla Verore” dhe “Programi Passhkollor”, që synojnë mbështetjen e nxënësve në përmirësimin e rezultateve të tyre shkollore me ndihmën e mësuesve. Kjo ndërthurje mes programeve do të forcojë arritjet akademike dhe angazhimin kreativ të nxënësve,” përfundoi Manastirliu.
/a.f/r.e/