E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan aktivitet per 100 vjetorin e Pavaresise

Kremtimi i 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë është duke u pritur dhe vlerësuar me ndjenjë të veçantë patriotike në Elbasan. Ky qytet ka një hstori ekskluzive në lidhje me Pavarësinë e vendit. Më 25 nëntor, patriotë dhe atdhetarë elbasanas, të udhehequr nga Aqif Pashë Biçakçiu dhe frymëzuar nga Ismail Qemali, ngritën Flamurin e indipendencës. Ky akt i çeli rrugë shpalljes së pavarësisë në mbarë vendin për tu finalizuar më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Lidhur me me shpalljes së Pavarësisë së Elbasanit Ismail Qemali e ka vlerësuar Aqif Pashë Biçakçiun me këto fjalë: Se cili do të jetë vlerësimi im në histori, kjo nuk dihet, por e sigurtë është se historia do të shkruajë emrin tënd me gërma të arta.
Shpallja e Pavarësisë së Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë është e lidhur ngushtë me disa dokumenta historikë. Kopja e aktit të shpalljes së pavarësisë së Elbasanit ndodhet në arkivat e Shkupit dhe me kërkesë të prefektit i është kërkuar historianit që e ka gjetur që ta sjellë në Elbasan.
Dy objekte të rralla të cilat, sipas shumë autorëve mendohet se kanë lidhje me pavarësinë e këtij qyteti, janë një flamur me moshë 100 vjeçare i qëndisur nga Marije Buda në lagjen Kala. Para se të shpallje pavarësia në këtë lagje u qëndisën dhjetra flamuj njëri prej të cilëve u ngrit më 25 nëntor. Ky Flamur ndodhet aktualisht në zyrën e kryetarit të bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini. Ai është i qëndisur me mëndafsh të artë dhe me gjymyz, një lloj qëndisje që sot uk mund të praktikohet më. Flamuri 100 vjeçar shkruan në pjesën lart: 25 nëntuer 1912 dhe poshtë Marije Buda lagja Kala.
Po kështu në duart e koleksionistëve elbasanas ndodhet edhe trompa, një lloj borije e prodhuar në vitin 1884 në Mantova të Italisë e që ka shoqëruar ngritjen e Flamurit të Pavarësisë në Elbasan.
Pushteti lokal në Elbasan, bashkia, qarku, prefektura kanë programuar një sërë aktivitetesh me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Këshilli Bashkiak ka miratuar edhe një fond të posaçëm. Sipas kryetarit të bashkisë, Qazim Sejdini në këtë qytet janë programuar një sërë simpoziumesh shkencore, seminare e takime duke bashkëpunuar ngushtë me universitetin e Elbasanit si dhe qarqet akademike e historike.
Veç kësaj për herë të parë do të prezantohen dokumenta e të dhëna për figura të shquara të asaj kohe duke i dhënë vendin e merituar në histori.
Propozime me mjaft vlerë vijnë nga prefektura dhe qarku Elbasan. Prefekti, Shefqet Deliallisi propozon rivlerësim të figurave, dhënien e titullit të merituar dhe vendosjen e emrave në sheshet dhe rrugët kryesore të qytetit. Ndërsa qarku Elbasan po punon për ta festuar me dinjitet e madhështi këtë festë në të gjitha qytetet e prefekturës.
Kështu 100 vjetori i Pavarësisë po pritet dhe do të festohet si rrallëherë në qytetin e kulturës dijes e arsimit, në vendin e patriotizmit dhe atdhedashurisë, në Elbasan.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›