E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizita e kancelares gjermane Angela Merkel ne Pekinin zyrtar

Kina nuk ka ndërmend të blejë Europën. Nuk ka as aftësitë dhe as qëllimin të blejë Europën. Kështu ka deklaruar kryeministri kinez, Ëen Jiabao gjatë një konference, duke iu përgjigjur pasigurive mbi investimet në rritje të gjigandit aziatik në ekonomitë në vështirësi të Eurozonës. Por, Pekini është i gatshëm të bashkëpunojë me Europën për të përballuar krizën aktuale. Në ditën e dytë të vizitës së saj në Kinë, Angela Merkel e shoqëruar edhe nga kryeministri kinez Jiabao kanë pasur një takim me biznesmenë kinezë dhe Gjermanë në rajonin e Guangzhout.
Kreu i qeverisë kineze ka deklaruar se raportet ekonomike dhe tregtare mes të dy vendeve janë të përkushtuara për barazi dhe avantazhe reciproke.
“Të dy vendet duhet te zgjerojnë në mënyrë pozitive dhe të hapur investimet dypalëshe, të fuqizojnë bashkëpunimin mes bizneseve të vogla dhe të mesme në sektorin e teknologjisë së përparuar, të kursimit të energjisë dhe ruajtjes së mjedisit”, u shpreh Jiabao.
Gjermania ka një fluks të fortë eksportesh ndaj Kinës, kryesisht makineri dhe produkte hitech. Por eksportet kineze kanë dëmtuar prodhimin në vendet fqinje europiane, dhe përpjekjet e Kinës për të zhvendosur zinxhirin e vlerave mund të kërcënojë tregtinë gjermane në të ardhmen.
Merkel ka theksuar se të dy vendet mund të përfitojnë nga lidhjet e forta ekonomike, por ajo ka kërkuar nga Kina që të përmiresojë mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të garantojë që bizneset gjermane të kenë akses reciprok në tregjet kineze.
“Është gjithmonë në të mirën tonë që të gjithë të kemi një ekonomi sa më konkurruese, nëse bëhet fjalë për një konkurrencë të vërtetë, që mbron të drejtat intelektuale dhe që ndërtohet mbi një kuadër juridik të besueshëm”, vuri në dukje Merkel.
Liderët kinez e kanë vlerësuar kancelaren gjermane si zërin vendimtar të krizës europiane, për fuqinë e saj ekonomike kundrejt vendeve të tjera të kontinentit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›