E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, bllokohet aktiviteti i 24 subjekteve

Policia e Qarkut të Elbasanit ndërmori sot një aksion për bllokimin e subjekteve tregtare që zhvillojnë aktivitet të paregjistruar në rrugën nacionale Librazhd-Qafë Thanë.
Më shumë se 24 subjekte private prej me shumë se 10 vitesh ushtronin aktivitete private të palicensuara, duke mos u regjistruar në organet tatimore.

Për këtë arsye, filloi procedimi penal ndaj përgjegjësit të Zyrës së Tatimeve të Komunës Rrajcë, i cili akuzohet për "moskryerje të detyrave ndaj organeve tatimore" dhe "shpërdorim detyre".

Ky shtetas me mosveprimet e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë ka ndikuar në mosregjistrimet e këtyre subjekteve private, duke sjellë një dëm ekonomik të konsiderueshëm në buxhetin e Komunës dhe të Shtetit.

Po kështu, në bazë të këtij operacioni ka filluar procedimi penal edhe ndaj dy specialistëve të Sektorit të Verifikimit në Terren në Drejtorinë e Tatim Taksave Elbasan, konkretisht ndaj shtetasve, I. L, 47 vjeç, banues në Librazhd dhe A. F., 26 vjeç, banues ne Elbasan.

Këta dy shtetas akuzohen për "moskryerje të detyrave nga organet kompetente", të cilët me mosveprimet e tyre nuk kanë ushtruar kompetencat që u njeh ligji për organet tatimore.

Policia e Elbasanit në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan po vazhdon punën për hetimin e mëtejshëm të kësaj veprimtarie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›