E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta i kërkoi Guatemalës që të shqyrtojë me përparësi njohjen e Kosovës

Guetemala City, 31 gusht - Gjatë qëndrimit në Guatemalë, zëvendëskryeministri dhe ministri i ë Jashtëm,. Ilir Meta u prit në një takim të veçantë nga zëvendëspresidenti i  Guatemalës, Dr. Rafael Espada, me të cilin diskutoi rreth mundësive të zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, mes Shqipërisë dhe rajonit të Amerikës Qendrore si dhe mbi çështjen e Kosovës.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe konkretizimit të tyre përmes nënshkrimit të disa marrëveshjeve të rëndësishme në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, sikurse dhe bashkëpunimit mes dy Ministrive të Punëve të Jashtme. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin qëndrim se bashkëpunimi në kuadër të organizatave ndërkombëtare dhe sistemit të Kombeve të Bashkuara është një platformë e rëndësishme që kontribuon në garantimin e paqes dhe sigurisë globale.
Dr. Espada vlerësoi vizitën e Metës si një tregues i vullnetit pozitiv, duke vlerësuar faktin se kjo është vizita e parë e një drejtuesi të lartë shqiptar në këtë vend.
Dr. Espada vlerësoi interesin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar me statusin e vëzhguesit në Organizatën e Shteteve Amerikane (OSA) dhe garantoi për mbështetjen e vendit të tij, duke theksuar se ky është një hap pozitiv që i shërben njohjes më të mirë reciproke dhe dimensionit të ri human që kanë marrë marrëdhëniet ndërkombëtare dhe bashkëpunimi mes shteteve në shekullin e 21-të.
 Meta e njohu Dr. Espada me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, me rolin e saj të ri pas anëtarësimit në NATO dhe ecurinë e procesit të integrimit evropian.
Një çështje e rëndësishme që u diskutua gjatë takimit ishte dhe ajo e Kosovës.  Meta kërkoi nga zëvendëspresidenti i Guatemalës që vendi i tij të shqyrtojë me përparësi njohjen e shtetit të Kosovës, duke patur parasysh zhvillimet e reja pas Opinionit Këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në përfundim,  Meta e ftoi Dr. Espada për një vizitë zyrtare në Shqipëri në një kohë të
afërt, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi.
Gjatë qëndrimit në Guatemalë, Ilir Meta zhvilloi një vizitë në selinë e Parlamentit të Amerikës Qendrore ku u prit nga Zv. Presidenti i këtij institucioni,  Sergio Bucaro, me të cilin bisedoi rreth bashkëpunimit të Shqipërisë me Organizatën e Shteteve Amerikane si dhe rreth kërkesës për statusin e vëzhguesit pranë kësaj Organizate.
Zv. Presidenti Bucaro shprehu vlerësimin e tij dhe të vendeve anëtare për këtë kërkesë si dhe gatishmërinë për të marrë sa më shpejt vendimin e pranimit të saj.
Gjatë takimit u theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit në nivel parlamentar dhe u shpreh gatishmëria e intensifikimit të marrëdhënieve në këtë drejtim, përmes shkëmbimit të vizitave reciproke dhe institucionalizimit të komunikimit të
ndërsjellë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›