Elbasan operacion nga sektori i luftes kunder trafiqeve

Shërbimet e policisë në Elbasan kanë finalizuar në orët e mbrëmjes së mërkurës operacionin që nga sektori i luftës kundër trafiqeve ishte koduar me emrin "Qeflija". Në pranga kanë rënë Ilir Berisha, Genti Beqiri dhe Sagent Troka. Në të njëjtën kohë është ndaluar edhe 19 vjeçarja M. Zylfollari e cila ishte pjesë e rrjetit të prostitucionit dhe shfrytëzohej për ta ushtruar katë aktivitet në një nga motelet e Elbasanit kundrejt pagesave që varionin nga 50-200 Euro.
Burime hetimore bënë të ditur se kishin kohë që survejonin rrjetin në fjalë pasi është arritur të vërtetohet se tre të rinjtë luanin rolin e tutorit ndaj 19 vjeçares. Me mirëkuptimin e saj ata lëviznin edhe në qytete të tjera të vendit ku i gjenin klientë. Por kohët e fundit ishin perqëndruar në hotelet e Elbasanit. Duket se sinjalet e para policia i ka marrë nga komuniteti dhe frekuentuesit e prostitutës. Kaq ka mjaftuar që në veprim të futen agjentët e zyrës antitrafik.
Mësohet se me anë të këtij aktiviteti të rinjtë siguronin të ardhura të mjaftueshme. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar celularë të markave të fundit, lekë dhe një sasi valute. Ndaj autorëve është ngritur akuza e ushtrimit të prostitucionit me pagesë. Njëkohësisht po punohet nëse në këtë rrjet bënin pjesë tutorë dhe prostituta të tjera. Drejtoria e policisë së Elbasanit ka paralajmëruar një konferencë për shtyp në orët e para të mëngjesit.