E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Dashakeqësi përdorimi i çështjes së Fierit për të bllokuar statusin kandidat

14-11-2012 / Gazeta 55

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në LSI, Ylli Manjani: “Është koha të zgjidhim të ardhmen europiane të shqipërisë e bashkë me të edhe të ardhmen europiane të Fierit”

LSI i ka bërë apel forcave politike parlamentare për të votuar nesër në Kuvend tre ligjet e integrimti. Në një deklaartë për mediat sekretari për çështjet zgjedhore në LSI, Ylli Manjani i bëri apel politikës të votojë edhe kushtin e fundit të kërkuar nga Komisioni Evropian. Duke shprehur gatishmërinë e LSI për të votuar nesër 3 ligjet, Manjani tha se çështja e qarkut të Fierit nuk mund të bëhet pengesë për marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë. “Nesër në Kuvendin e Shqipërisë do të duhet të shqyrtohen nga maxhoranca dhe opozita (pra edhe nga Partia Socialiste) në seancë plenare tre projekt ligjet që kanë ngelë si kusht u funidt për marrjen e statusit të vendit kandidat për tu anëtarësuar në BE. As sot e as nesër partitë politike nuk kanë luksin të shpenzojnë asnjë minut kohë me çështje të tjera jashtë kësaj axhende.
Asnjë çështje tjetër nuk është sot me e rëndësishme sesa miratimi i këtyre ligjeve. Nuk mund të shmanget aq më pak të eklipsohet rëndësia e miratimit të këtyre ligjeve, asnjë.
Debati politik që zhvillohet në Tiranë për Fierin është ngarkesë e pa merituar për procesin e integrimit të Shqipërisë sonë të përbashkët. Askujt në Fier, Tiranë apo mbarë Shqipërinë nuk i ka shkuar në mendje që të përdoret si kusht apo pengesë për të mos u integruar në europë. Prandaj, politika ka detyrë të ndaje çështjet sipas përparësive dhe interesave të qytetarëve të këtij vendi dhe jo t’i përziejë e t’i ngatërrojë për qëllime të vogla elektorale.
E ashtuquajtura çështje e Fierit, është kryekëput një çështje vendore në organizimin dhe  funksionimin e Këshillit të qarkut atje.  Si e tillë kjo çështje është bërë objekt i shqyrtimit të gjykatave shqipëtare dhe deri në përfundimin e këtij shqyrtimi të gjithë duhet të presim. 

Aq më pak është politike kjo çështje, kur gjykatat të disponojnë zgjidhjet e duhura me vendime të formës së prerë. Ky shtet ka institucione publike dhe private që kanë për detyrë të zbatojnë vendimet e gjykatave kur marrin formë të prerë. Në këtë kuptim është e pakuptimtë debati politik në Tiranë (në tryeza apo në distancë) për një çështje që duhet ta zgjidhin institucionet e pavarura të gjyqsorit apo institucionet autonome të pushtetit vendor.
Nisur nga këto rrethana, si dhe duke vlerësuar maksimalisht përpjekjet e cilës do anë në politikë për të paqtuar klimën politike në vend, LSI është e gatshme të votojë menjëherë të tre ligjet që kanë mbetur pa u miratuar. Ne mendojmë se partitë parlamentare nuk kanë përse të humbin kohë në tryeza sepse ligjet janë gati për miratim. Është koha të zgjidhim të ardhmen europiane të shqipërisë e bashkë me të edhe të ardhmen europiane të Fierit dhe të gjithë komunave e bashkive në mbarë vendin”- u shpreh Manjani.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›