E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, qëllon me armë policët Vret veten për t'i shpëtuar kapjes

ELBASAN - Ka përfunduar në tragjedi veprimi i një personi i cili qëlloi me armë ndaj efektivëve të një patrulle, ku pas largimit nga vendi i ngjarjes ai ka vrarë veten për të mos rënë në duart e policisë.

Ngjarja e rëndë është shënuar gjatë orëve të pasdites së sotme në fshatin Mengen, komuna Labinot-Fushë. Ishte thjesht një kontroll rutinë ku patrulla ka ndaluar një furgon që vinte nga Qafë-Thana. Forcat e policisë kanë zbritur nga furgoni edhe personin në fjalë, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur. Në debat e sipër ai ka shtënë me armë fillimisht në ajër ndërsa plumbat e tij janë drejtuar edhe ndaj policisë.

Pas këtij veprimi autori ka marrë një makinë Reno me targa Durrësi të gjendur aty pranë, ndërsa sipas informacioneve paraprake mendohet që të jetë marrë peng edhe drejtuesi i këtij automjeti.

Autori është larguar me makinë në drejtim të Librazhdit, por kur e ka parë të pamundur arratisjen ai ka vendosur t’i japë fund jetës në Urën e Murrashit.

Mbeten të dyshimta motivet që mund ta kenë çuar të riun në konfliktin me efektivët e policisë dhe më tej në veprimin ekstrem të vetëvrasjes.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›