E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Elbasan/Goditen 4 grupe kriminale të trafikut të drogës. Në pranga 45 persona, midis tyre biznesmenë

Policia e Elbasanit në kuadër të operacionit “Rrjeti” ka vendosur në pranga 45 persona për trafik droge ndërsa ka shpallur në kërkim 7 të tjerë. Pas marrjes së urdhrit të ndalimit për 52 persona policia e Elbasanit ka ushtruar kontrolle në 52 banesa dhe 18 lokale, por ka mundur të arrestojë vetëm 45 persona dhe 7 të tjerët janë shpallur në kërkim.

Gjatë operacionit janë konfiskuar edhe sasi kokaine, armë dhe municione.

“Gjatë operacionit të sotëm i cili u shtri në Elbasan, Peqin, Belsh, Cërrik, Përrenjas, Librazhd dhe Pogradec u angazhuan 490 punonjës policie, ku u kontrolluan 52 banesa, 18 lokale. Si rezultat i këtij operacioni janë ndaluar 45 shtetas si dhe 7 shtetas të tjerë janë shpallur në kërkim. Gjatë kontrollit të këtyre ambienteve policia ka mundur të gjejë 1 kilogram lëndë e dyshuar kokainë, 810 gramë e dyshuar heroinë dhe mijëra doza të tjera lëndë narkotike. Një armë zjarri model 56 dhe sasi municioni luftarak si dhe armë të ftohta”, theksuan drejtuesit e policisë dhe prokurorisë së Elbasanit në një deklaratë për mediat.

Në operacionin e shtrirë në qytetet e qarkut të Elbasanit janë angazhuar mbi 490 efektivë policie si dhe janë kontrolluar dhjetra banesa dhe lokale. Sipas drejtuesve të policisë së Elbasanit, mes të arrestuarve janë edhe biznesmenë që operojnë në qarkun e Elbasanit.

“Ka biznesmenë, dhe persona me arsim të lartë por dhe persona me arsim të mesëm. Kryesisht janë mbi moshën 20 – 65 vjeç” u tha ne konference nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, Kryekomisar Ilir Proda.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›