E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasani festoi 81-vjetorin e çlirimit, ceremoni në kujtim të dëshmorëve dhe luftës

Elbasani ka përkujtuar 81-vjetorin e çlirimit nga pushtuesit nazifashistë në Luftën e Dytë Botërore. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve, deputetë dhe qytetarë. Elbasani dhe banorët e tij kanë pasur një rol kyç në Luftën Nacionalçlirimtare, duke dhënë shumë të rinj e të reja që sakrifikuan jetën për lirinë e vendit.

“Dita e çlirimit të Elbasanit nuk është vetëm një përvjetor historik. Është një moment reflektimi, ditë e krenarisë kombëtare dhe një thirrje për unitet, dashuri dhe përparim. Kjo ditë na kujton gjithçka që kemi ndërtuar së bashku dhe na fton të jemi optimistë për të ardhmen që mund ta formojmë bashkërisht”, u shpreh Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja.

Nga ana e tij, deputeti Arbjan Mazniku solli në vëmendje zgjedhjen e drejtë të shqiptarëve në anën e lirisë dhe misionin e vazhdueshëm drejt një Shqipërie më të mirë.

 “Kur kthen kokën pas në kohë e kupton se çfarë kurajo, çfarë force, çfarë heroizmi kanë pasur ata djemtë dhe vajzat që para 85 vjetësh zgjodhën jo vetëm ta vendosnin Shqipërinë në krahun e duhur të historisë, në kahun e së mirës”, u shpreh Arbjan Mazniku.

Edhe përfaqësues të Organizatës së LANÇ risollën në kujtesë sakrificën e brezit që luftoi për atdheun.

“Që fëmijë ne e kemi përkujtuar këtë ngjarje që na erdhi nga historia jonë e jashtëzakonshme. Nga historia e lavdishme e Luftës sonë Nacionalçlirimtare e popullit tonë.”

Elbasani ka luajtur një rol të rëndësishëm në krijimin e batalioneve dhe njësive guerile, që luftuan edhe në betejën e Tiranës duke çliruar mbi katër mijë kilometra territor shqiptar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›