Elbasani fiton në Vlorë dhe merr kryesimin e Superligës, barazim Dinamo City-Teuta

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Sfida Dinamo-Teuta, e vlefshme për javën e 10-të të kampionatit shqiptar të futbollit është mbyllur në barazim pa gola 0-0.
Pas dy fitoreve radhazi në kampionat, Dinamo është ndalur në “Elbasan Arena” nga durrsakët.
Të dyja skuadrat kanë pasur mundësitë e tyre për shënim, por nuk kanë arritur që të dërgojnë dot topin në rrjetë.
“Blutë” e Ilir Dajës kanë luajtur për 30 minuta me një lojtar më pak, për shkak të daljes me karton të kuq të Maliqit në minutën e 62-të.
Pas këtij barazimi, Dinamo ngjitet në kuotën e 18 pikëve në klasifikim, ndërsa Teuta harron humbjen përballë Egnatias dhe me pikën e marrë në Elbasan shkon në kuotën e 15 pikëve në klasifikim.
Në ndeshjen tjetër në Vlorë, Flamurtari u mposht 0-1 nga Elbasani. Goli për vedheblutë u shënua nga Lajthia në minutën e 61-të.
Pas kësaj fitoreje Elbasani mban vendin e parë në renditje me 20 pikë, ndërsa Flamurtari është i fundit me 5 pikë.
/gj.m/r.e/a.f/