Eleonora Bregu varroset në tempullin e misionit të saj
TIRANË- Eleonora Bregu, gruaja e vetëshpallur si shenjtore e cila vra veten katër ditë më parë është varrosur dje brenda godinës që besimtarët e saj e njohin si Tempulli. Dje në orën 14:00, trupi i saj i mbartur nga të afërm miq e besimtarë, u përcoll për në objektin tre katësh, që ndodhet në krahun lindor të forndacionit. Një numër besimtarësh, të veshur me një veladon blu, e të tjerë me veshje të zakonshme, ndoqën nga pas arkivolin me trupin e shënjtores, që u fut në Tempull. Një orkestër fyrmore, që luante muzikë funebre shoqëroi kortezhin deri në fund të ceremonisë, ndërsa më parë një muzikë tjetër funebre që luhej në sfond shoqëroi ceremoninë e varrimit.
Gjatë funeralit privat në brendësi të Tempullit, djali i Eleonora Bregut, Roel Zhitoni, lexoi një tekst prej dy faqesh në të cilin përshkruhej jeta gruas, që nga lindja në një fshat të Ersekës, mbërritja në Tiranë dhe fillimi i punës në ish- Kombinatin Tekstil në Tiranë etj. Sipas letrës së lexuar nga Zhitoni, në vitin 1987, nëna e tij, Zonja Eleonorë, takoi Entitetin e Shenjtë, Abyl Qesarakën, i cili e udhëhoqi në punën e saj.
Vendi i varrimit ishte zgjedhur nga vetë Eleonora Bregu, e cila në letrën e lamtumirës ka shkruar se zgjodhi të vetëflijohej se sa të dorëzonte tokën e shenjtë. Për të mos e dorëzuar këtë tokë, familjarët e kanë varrosur në vendin që ajo dhe besimtarët e saj e quanin Tempulli.
Më parë se të kryhej varrimi, njerëz të ndryshëm, besimtarë dhe të njohur e të afërm të Eleonora Bregut, kryen homazhe pranë trupit të saj duke thënë lutje të ndryshme për të. Në sfond për gjatë gjithë kohës dëgjohej një muzikë e afërt me atë funebre, e një rryme të njohur me emrin Muzikë Gregoriane. (Muzikë me natyrë dhe karakter kristian, që luhet në kisha kristiane në perëndim, e njohur pas vitit 480 pas Krishtit). Besimtarë të veshur me veladon, kryenin një rit që njihet prej anëtarëve të fondacionit, duke ecur mbi një rrugë të shtruar me asfalt, anës së territorit të rrethuar ku ndodhet misioni i Eleonorës. Edhe dje ashtu si në dy ditët e mërparshme, askush nga të afërmit e familjes, apo besimtarë të tjerë apo anëtarë të fondacionit, nuk pranoi të fliste për mediat, ndërsa e gjithë ceremonia u krye vetëm në praninë e besimtarëve të misionit të Elonorës, të afërmëve dhe të njohurve të saj.
16 vjet në kërkim, arrestohet në Tiranë
Qamil Petmarku ishte dënuar 16 vjet më parë për një vrasje të ndodhur në qytetin e Burrelit
Blutë e komisariatit nr.1 në kryeqytet arrestuan dje në mbrëmje një person të kërkuar prej 16 vitesh të dënuar me 17 vite burg me akuzën e vrasjes, krim i ndodhur në qytetin e Burrelit. Qamil Petmarku 44 vjeç është arrestuar dje rreth orës 17:00, në rrugën Idriz Dollaku, pranë burgut 325 në Tiranë, pas informacioneve të marra në rrugë operative. Sipas policisë, Petmarku, i cili deri në vitin 2005, kishte punuar në ndërtim në Greqi, ishte kthyer në Shqipëri dhe ishte vendosur në një banesë me qera në afërsi të fushës Ali Demi. Që nga kthimi në Shqipëri, ai kishte nisur të punonte si murator, punë që vazhdonte ta kryente edhe aktualisht. Madje burimet e policisë thanë se Petmarku, gjatë kësaj kohe ishte lidhur me një femër me profesion inxhiniere ndërtimi, me të cilën mësohet se edhe jetonte. Dje në pasdite, ai ishte identifikuar nga policia, efektivët e të cilës e ndoqën deri në afërsi të vilës së tij të marrë me qera, ndërsa i kërkuari po udhëtonte me motoçikletë. Për një moment, ai arriti tiu largohej policëve, por u kap pak metra larg shtëpisë ku jetonte. Sipas policisë, në vitin 1994 Petmarku, me origjinë nga komuna Derjan i Matit, ka vrarë një person nga familja Gjisuka dhe në është dënuar me 17 vite burg në mungesë. Që nga ajo kohë Petmarku ishte në kërkim dhe për një vit ai mund të përfitonte lirinë, për shkak të parashkrimit të dënimit të veprës së kryer prej tij.
