E Enjte, 5 Nëntor 2026

Eliminohet Barça, në çerekfinale shkon Bilbao

120 minuta lojë për të përcaktuar çerekfinalisten e fundit të Kupës së Spanjës: Bilbao ka arritur një fitore 3-2 përballë Barcelonës. Sfida që ka mbyllur edhe turin e 16-shes së Kupës së Spanjës, që njihet ndryshe si Kupa e Mbretit, ka patur nevojë për kohët shtesë për të përcaktuar çerekifnalisten e fundit të saj. Ndeshja që është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit në kanalin RTSH Sport, ka nisur praktikisht me gol, pasi Atletik Bilbao ka gjetur rrugën e rrjetës pas vetëm dy minutash lojë ndaj Barcelonës me anë të Muniainit.

Por katalanët e kapërcejnë pësimin e golit, duke reaguar dhe, 18 minuta më pas, është Ferran Torres që barazon shifrat në 1-1. Në këtë barazpeshë shifrash do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të jenë përgjithësisht të luftuara, por vetëm 4 minuta para fundit të kohës së rregullt, skuadra baske do të kalojë sërish në epërsi, me anë të Martinezit. Por minutat e fundit dhe ato shtesë do të jenë dramatike, pasi Barcelona do të gjejë golin e barazimit me anë të Pedrit.

Kjo ka bërë që gjithçka t’u drejtohet dy pjesëve shtesë nga 15 minuta secila dhe, në fundin e së parës, skuadra vendase do të fitojë një 11-metërsh, që do të shndërrohet në gol nga kapiteni Muniain. Përtej një goli të Barcelonës, por që nuk vlen në fillimin e së dytës për shkak të një pozicioni jashtëloje, Atletik Bilbao e mbron fitoren 3-2 dhe e eliminon kështu fituesen në fuqi të këtij sezoni, me katalanët që humbasin edhe një tjetër mundësi për trofe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›