Elina Duni, zgjedh Kosovën

Një koncert kushtuar Ditës së Evropës u zhvillua mbrëmjen e djeshme në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit ne Tirane.
Në skenën e TKOB-së u ngjiten disa nga emrat e artistëve më suksesshëm shqiptarë nëpër skenat e Evropës nën drejtimin e Zhani Cikos.
E vetmja këngëtare që nuk këndoi arie ishte Elina Duni, e cila kishte ardhur posaçërisht nga Zvicra për të interpretuar “Ne me Quitte Pas” të Jacques Brel në sallën e TKOB-së. Ajo shoqërohej me firzamonikë nga Genti Rushi.
Në një intervistë përmediat shqiptare , Elina thotë se është duke punuar që të paktën të ndërtoj diçka të vogël në Shqipëri. Aktualisht është duke punuar për një album vetëm me këngë në shqip.
"Kam në duar një album të ri që do ta bëj vetëm me këngë në shqip. Por jam ende duke punuar që ta regjistroj në Kosovë. Pjesë e këtij albumi do të jenë dhe Gent Rushi, Armend Xhafa etj. Një album vetëm me muzikantë shqiptarë në të cilin do të ketë këngë që unë i kam kompozuar vetë dhe që janë pop-jazz. Promovimi do të jetë në Shqipëri. Sepse mendoj që me këngën të sjellë kontributin tim në Shqipëri në mënyrë që këngën ta shikojnë pak më ndryshe, më poetike. Një projekt që nuk ka të bëj me folkun", ka thene Duni.
Elina Duni është lindur në Tiranë, është rritur dhe shkolluar në Zvicër. Deri tani ka realizuar albumet “Baresha” (2008), “Lume, Lume” (2010) dhe “Matanë Malit”. “Elina Duni &Quartet” përbëhet nga Colin Vallon në piano, Bänz Oester në kontrabas dhe Norbert Pfammatter në bateri. Kuarteti i saj është vlerësuar me çmimin “Priority jazz encouragement 2010-2012”.
Qysh në fillim mori vlerësime nga kritika gjermane dhe zvicerane. Ka marrë pjesë në turne dhe në festivale për ta prezantuar veten si një bandë që falë udhëheqëses së saj shpirtërore, Elinës, një shqiptare që kërkon të ketë në vëmendje motive nga folku ballkanik dhe t’i përpunojë në xhaz. E ka bërë kërkim edhe në fondin e këngëve të folkut qytetar shqiptar, të Shkodrës, Elbasanit etj. /Indeksonline/