E Diel, 1 Nëntor 2026

Elis Bakaj: “Shënoj gol, në derbin tim të fundit si i kuq”Mesfushori i Partizanit dhe i Kombetares: Këtu, pesë vite të bukura. E mbyll duke fituar ndaj Tiranës

Firmën e ka hedhur tashmë dhe në janar bëhet blu. Pesë vjet si i kuq, Elis Bakaj rrëfen emocionet e fundit. i ka mbetur peng që me Partizanin nuk arriti të fitojë asnjë titull kampion, sidomos sezonin e kaluar. “Do të jap gjithçka për “demat” në këto ndeshje që më kanë mbetur”, shprehet sulmuesi 21 vjeçar. Këtë të dielë luan derbin e fundit me fanellën e kuq. Përballë është Tirana dhe me të e ka një kunj. “Dua shumë që ti shënoj në sfidën e fundit si “dem”. Besoj se do fitojmë ne në këtë sfidë”, flet me bindje shtatshkurtri Bakaj. Sipas tij, Partizani do arrijë të mbijetojë në Superligë, vetëm nëse në merkaton e janarit futet fuqishëm dhe blen lojtarë cilësorë.

Në janar te Dinamo. Si ndihet Bakaj?

- Unë jam lojtar profesionist dhe futbolli kështu është. Skuadra e Dinamos tregoi interes ndaj meje me ofertën shumë të mirë që më bëri dhe për këtë unë iu përgjigja pozitivisht. Do të bëj më të mirën time për këtë skuadër, ashtu siç kam bërë gjithmonë edhe me fanellën e Partizanit.

Më pak se një muaj iu ka ngelur si i kuq. Çfarë ndjeni që largoheni nga Partizani pas pesë vitesh?

- Unë kam lindur dhe jam formuar si lojtar te kjo skuadër dhe padyshim që e vlerësoj dhe nuk do ta harroj asnjëherë. Kam kaluar momente shumë të mira, ashtu si edhe të këqija. Gjithmonë kam dhënë më të mirën time për fanellën e kuqe dhe të njëjtën gjë do të bëj edhe në takimet që më kanë mbetur deri në janar.

Çfarë të ka mbetur peng që nuk e ke arritur me Partizanin?

-Padyshim një titull kampion që nuk arrita ta fitoj dot. Sezonin e kaluar ishim më pranë se kurrë, por e humbëm vetëm në ndeshjen e fundit. Gjithsesi, kam fituar një Kupë Republike, i cili është edhe trofeu i vetëm që kam ngritur lart si “dem”.

Përpara një jave shënuat golin e parë këtë sezon. Kujt ia dedikoni?

-Natyrisht që skuadrës së kuqe, megjithëse në fund nuk pati vlera për të marrë një pikë. Ndihem mirë që arrita të shënoja dhe shpresoj të vazhdoj kështu edhe në takimet e ardhshme. Por, e rëndësishme është që këto gola ti shërbejnë ekipit për të fituar sa më shumë pikë. Gjithashtu, primar është fakti që skuadra të arrijë të fitojë dhe të dalë nga fundit i tabelës, pavarësisht se kush e dërgon topin në rrjetë.

Të dielën, derbi i fundit i Bakajt si i kuq. Përballë është Tirana

- Dihet tashmë se çfarë rivaliteti kanë ndeshjet derbi në Shqipëri, sidomos kjo mes Tiranës e Partizanit. Edhe 17-vjeçarët të vesh të luajnë përballë njëri tjetrit në sfida të tilla, dihet që do të ketë rivalitet dhe luftë sportive. Unë kam kaluar shumë sfida të tilla përballë bardhebluve, por kjo sigurisht që është paksa e veçantë për mua duke qenë se është derbi i fundit që luaj me Partizanin. Besoj se do arrijmë një rezultat pozitiv pasi të gjithë janë të karikuar për këtë sfidë. Skuadra luan mirë dhe këtë e ka treguar në ndeshjet e fundit, por janë pikët ato që na duhen në këtë moment që po kalon skuadra.

Çfarë i premtoni tifozëve të Partizanit në këtë derbi?

-Është e vështirë të premtosh, por mund të them se kam një kunj me Tiranën. i kam shënuar edhe herë të tjera kësaj skuadre, por dëshiroj shumë që të realizoj edhe këtë të diel. Kam shumë qejf që të shënoj në derbin tim të fundit me fanellën e Partizanit dhe më pas të festoj me tifozët e kuq. Gjithsesi, më me rëndësi do të ishte që goli ti vlejë skuadrës për të marrë pikët.

Si mund ti shpëtojë rënies ky Partizan?

-Vetëm me një ndërhyrje të fuqishme në merkaton e janarit. Jo se lojtarët e rinj që janë pjesë e ekipit nuk janë të mirë, por duhen futbollistë me eksperiencë dhe që të dinë të bëjnë diferencën. Duhen 2-3 lojtarë me eksperiencë, të cilët duke iu bashkuar elementëve të rinj, do të krijonin një grup shumë të mirë. Besoj se nëse kjo bëhet, skuadra do të arrijë të dalë nga fundi i tabelës.

Sipas Bakajt, a do të mbijetojnë të kuqtë në Superligë?

-Sigurisht që ndihem keq kur e shoh ekipin ku kam lindur dhe jam rritur si futbollist në një pozicion të tillë. Dihet historia që ka klubi i Partizanit dhe ato që i ka dhënë futbollit shqiptar dhe besoj se kujtdo që është paksa tifoz me këtë ekip, i vjen keq. Gjithsesi, unë mendoj se “demat” nuk do ta kenë aspak të lehtë, por do të mbijetojnë në Superligë. Duke bërë edhe një merkato cilësore në janar, qëndrimi më duket i sigurt.
Intervistoi: Besar Bozgo
Marre nga gazeta sportive "Sport Ekspres"

E Premte, 05 Dhjetor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›