E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elizabeth, kjo mësuese e keqe

Elizabeth, një mësuese që nuk i intereson fare puna dhe ka çdo ves të keq që mund të imagjinoni kërkon vetëm një gjë: të martohet me një njeri të pasur. “Bad Teacher” është po ashtu filmi i radhës që do të shfaqet në DigiGold, gjatë netëve festive.

Elizabeth, e interesuar për t’u martuar me njerëz të pasur, edhe pse është një mësuese, e fillon tregimin e saj atëherë ku i dashuri i saj pasanik i jep duart, por ajo i vë syrin një shënjestre të re.

Por, ajo nuk është vetëm, sepse të njëjtin qëllim ka edhe mësuesja rivale e saj. Pikërisht këtu fillon edhe aventura, që do t’i japë asaj, kolegëve dhe nxënësve të shkollës një mësim si asnjë tjetër në jetë.

Pra, me filmin “Bad Teacher” kemi të bëjmë me një komedi të ashpër me plot grindje të femrave, të cilat më shumë janë të dhëna pas parasë dhe kënaqësisë, por të cilat ushtrojnë edhe një profesion, atë të mësueses.

Krejt kësaj loje i prin aktorja e njohur, Cameron Diaz, e cila është një rrugaçe e thukët në brendësi të saj. Ajo paraqitet në këtë komedi të lehtë duke luajtur shumë mirë edhe me trupin e saj dhe duke paraqitur kështu elementet e ndyta të një mësueseje të keqe.

Me skenar të Gene Stupnitskyt dhe Lee Eisenbergut dhe me regji të Jake Kasdanit, filmi konsiderohet si një koncept i një komedie të ulët që në qendër ka karakterin e Diazit, Elizabeth që është mësuese e shkollës së mesme.

Në ditën e fundit të shkollës, ajo fiton një makinë të shpejtë sportive që i lihet para derës së shtëpisë së saj nga i fejuari. Mirëpo, para se ajo të marrë biletën për në shtëpi, ajo duhet të kryejë mësimin deri në fund, një profesion që ajo e kishte marrë gati në mënyrë skandaloze.

Ajo asgjë nuk bën në të vërtetë, pos që tejkalon topin tek ata studentë të cilët nuk iu përgjigjen në mënyrë të saktë pyetjeve të saj. Madje, ajo mban me vete edhe substanca ilegale që në rrethana të këtilla nuk do të duhej as të dukeshin nëpër klasat e shkollave të mesme. E për t’i vënë kapak krejt kësaj, ajo as nuk fle dhe ka raste kur gjumin e bën në klasë para studentëve të saj, gjersa para saj paraqitet një mësues i ri me emrin Scott (Justin Timberlake), një person që ka para, por që profesionin e bën më zell.

Kështu, ajo qesh para kësaj situate, përderisa lufton me rivalen e saj për ta fituar zemrën e Scottit, kurse rivalja e saj është Amy (Lucy Punch). Ajo madje edhe injoron interesin dhe dashurinë e Russellit që luhet nga (Jason Segel).

Për më tepër, në këtë film do të kënaqeni edhe me humorin e grave, që shihet te Punch që është një aktore britanike, por që mundohet që në film të flasë me aksent amerikan, vetëm që të bëhet sikurse një yll i Hollywoodit. Është një paraqitje që tmerron e që nuk e kemi parë nëpër filmat e tjerë.

Një grua qesharake që e bën këtë film interesant, kurse Diaz ndoshta e ka bërë një karakter që ajo do ta mbajë gjatë në mend, sepse e ka luajtur më mirë sesa karakteret e tjera. Edhe pse është thënë se ajo ka luajtur më së miri në karrierën e saj Princeshën Fiona, Diaz në këtë film me të vërtetë ka treguar se është një aktore me një shpirt të madh që di të adaptojë shumë mirë karakteret e saj.

Bashkë me “Braidsmaids” që ishte filmi më i mirë për gjininë femërore këtë vit, filmi “Bad Teacher” sigurisht se do të jetë filmi më interesant që e keni parë në Hollywood gjatë këtij viti. Ai është për femrat, për problemet e tyre, por edhe për profesionet, të cilat ndonjëherë i zgjedhin pa dashje. Kjo e bën këtë film serioz, një komedi serioze që shumë lehtë mund të fitojë edhe çmime të ndryshme ndërkombëtare.

“Bad Teacher” është një film që mund të shikohet nga personat mbi moshën 17-vjeçare. Arsyeja: Kemi të bëjmë me një mësuese të keqe.

-------

BAD TEACHER

Regjia: Jake Kasdan; skenari: Gene Stupnitsky dhe Lee Eisenberg; drejtor i fotografisë: Alar Kivilo; montazha: Tara Timpone; muzika: Michael Andrews; dizajner: Jefferson Sage; kostumet: Debra McGuire; producetë: Jimmy Miller dhe David Householter; Distributor: Columbia Pictures. Kohëzgjatja: 1 orë 32 minuta.

Aktorë: Cameron Diaz (Elizabeth Halsey), Justin Timberlake (Scott Delacorte), Lucy Punch (Amy Squirrel), John Michael Higgins (Principal Wally Snur), Jason Segel (Russell Gettis), Phyllis Smith (Lynn Davies), Thomas Lennon (Carl Halabi), Molly Shannon (Melody), Eric Stonestreet (Kirk), Dave (Gruber) Allen (Sandy Pinkus), Mattheë J. Evans (Garrett Tiara) dhe Kaitlyn Dever (Sasha Abernathy).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›