E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elvira Dones: Letërsia jetëgjatë dhe bombat tregtare

Një bisedë me shkrimtaren Elvira Dones rreth ribotimit të romanit "Yjet nuk vishen kështu".


Nëntë vjet pas të parit, ajo nuk ndryshon asgjë nga dokumenti i ngjarjeve të '97-s


Edhe pse e zënë me xhirimet e një dokumentari me metrazh të gjatë në Amerikë (ku jeton aktualisht), Dones gjen kohë për të folur për ribotimin e romanit "Yjet nuk vishen kështu" Dudaj 2009, që shënoi një ngjarje në kohën kur ky roman dokumentar u botua për herë të parë nga "Sejko" Elbasan 2000.


Pas përgjigjes që ajo na jep në pyetjen e tretë të intervistës "ribotohet pa as më të voglin ndryshim", zbulon që nuk ka tjetër fat për personazhet e trajtuara.


"Ngjarjet që libri rrëfen, fatkeqësisht, janë shumë aktuale në ditët e sotme, jo vetëm në Shqipëri, Ballkan e Itali, por në të katër anët e kësaj bote",- pohon ajo. Më pas, Dones ndalet te jetëgjatësia e letërsisë dokumentare, duke iu referuar autorëve, vepra e të cilëve "nuk mbush llogaritë bankare, por hapësirën e dhjetëvjeçarëve dhe të shekujve".

"Yjet nuk vishen kështu" ribotohet 9 vjet pas botimit të tij të parë. Përse u ndje nevoja e një ribotimi?


Nevoja erdhi, mendoj, nga vetë botuesit. Në radhë të parë nga botuesi origjinal i romanit, Roland Sejko. Për shkak të angazhimeve të tij të shumta, por edhe të përzgjedhjeve të ndryshme që çdo njeri bën në këtë apo atë çast të karrierës së vet, "Sejko" e pa të udhës të mos e vazhdonte punën si botues i mirëfilltë.


Por duke qënë ai vetë i përkushtuar ndaj romanit "Yjet nuk vishen kështu" (nëpërmjet të cilit, së bashku, i patëm dhënë nismën një bashkëpunimi letrar që vazhdoi me respekt të ndërsjelltë për shumë vite), "Sejko" vendosi t'i jepte mundësinë autores dhe botuesve të tjerë ta vazhdonin këtë udhë: pra që romani të mos "vdiste" me ndalimin e punës së "Sejko"-s si shtëpi botuese. Kjo edhe për faktin se lexuesit vazhdonin ta kërkonin këtë roman me këmbëngulje.


Thjesht për kureshtje, ky botues ka nxjerrë në shtyp pesë prej veprave të mia: katër romane e një vëllim me tregime. Romanin e fundit madje, "Vergine giurata", Roland Sejko e ka përkthyer personalisht nga versioni origjinal në gjuhën italiane, përkthim ky i admirueshëm për nga cilësia.


Në shqip, siç lexuesi e di, romani ka dalë me titullin "Hana". Si autore, më është dukur e paqartë, nëse ishte Sejko që i propozoi Arlinda Dudajt kalimin e veprës në botimet "Dudaj", apo ndodhi e kundërta: ishte Dudaj ajo që i kërkoi blerjen e të drejtave të botimit shtëpisë botuese "Sejko".


Kjo në thelb nuk ka asnjë farë rëndësie. Përgjatë viteve, kam patur disa oferta të rëndësishme nga disa botues shqiptarë me prestigj. E rëndësishme është që "Yjet nuk vishen kështu" iu dha sërish në dorë publikut.


Çfarë ka ndryshuar? Ndonjë fat më pak i dhimbshëm për ndonjë nga vajzat e "Atjeposhtit"?


Kanë ndryshuar shumë gjëra e njëkohësisht asgjë. Ngjarjet që "Yjet nuk vishen kështu" rrëfen, fatkeqësisht, janë shumë aktuale në ditët e sotme, jo vetëm në Shqipëri, Ballkan e Itali por në të katër anët e kësaj bote. Ndryshojnë vetëm dinamikat, "aktorët" e asaj industrie të pamëshirshme. Varet pastaj nga subjektiviteti i lexuesit në atë që lexon.


Jo gjithmonë vizioni i autorit mbi librin që ka shkruar përkon me vizionin, ndjeshmërinë e lexuesit. Për E. Donesin "Yjet nuk vishen kështu" është një rrëfim mbi të keqen, mbi prevarikacionin, mbi shfrytëzimin e njeriut mbi njeriun: karakteristikë kjo e lashtë sa vetë bota...


Sapo jam kthyer nga një nga aktivitetet më të rëndësishme letrare sot në Evropë: "Il Festivaletteratura di Mantova".


Në takimet letrare që zhvillova, në intervistat e shumta për mediat italiane të shtypit si edhe ato audiovizive, lexuesit, aktivistët socialë, kritikët, gazetarët, vazhdonin të më bombardonin me pyetje rreth "Yjet nuk vishen kështu" (titulli italian: "Sole bruciato").


Do të thotë që libri është jo vetëm i gjallë e aktual, por më shumë se kaq... Në fakt edhe shtëpia botuese "Feltrinelli" po reflekton rreth hipotezës për ta hedhur përsëri në ribotim në Itali.

Nga "Yjet...", historia e Lejlës rri më gjatë në kujtesë. Ka ndonjë ndryshim tek ajo dhe të tjerat? Duam të dimë a keni vënë dorë në këtë ribotim?


Romani ribotohet pa as më të voglin ndryshim, modifikim. Jo vetëm do ta konsideroja të panevojshëm ripunimin, por madje edhe të dëmshëm për librin. I të njëjtit opinion me mua është edhe agjenti im letrar italian.


Sa jetëgjatë është një letërsi dokumentare?


Mund të ketë jetëgjatësinë e shekujve, apo të ketë shkurtësinë e disa muajve a viteve. Ka "bomba letrare" (që jo rrallë ngatërrohen me "bombat tregtare"). Autorët e bombave tregtare mbushin llogaritë bankare, por jo hapësirën e dhjetëvjeçarëve e shekujve. Dhe e kundërta.


Është një autor irlandezo - amerikan që respektoj në mënyrë të veçantë: Colum McCann. Injoroj faktin se sa kopje ka shitur njëri prej librave të tij: "Zoli".


Di vetëm që "Zoli" është nga ato romane - jo romane që do t'i rezistojë me një krenari të thellë kohës. Ashtu siç do t'i rezistojnë disa prej librave të tij të tjerë. E vetëm për kënaqësinë e të folurit për letërsi: António Lobo Antunes është penë funambolike: në opinionin tim modest, pena më e rëndësishme që ka dalë nga Portugalia.


Pra, António Lobo Antunes, unë nuk e kam idenë sa kanë shitur e shesin librat e tij, por di që "Manual dos Inquisidores" ("Il manuale degli inquisitori"), "Os Cus des Judas" ("In culo al mondo"), "Que farei quando tudo arde?" ("Che farò quando tutto brucia?"), do të qëndrojnë perla të rralla, pasuri për shpirtin e mendjen, në breza e shekuj, edhe atëherë kur karta të jetë zëvendësuar me kushedi ç'djallëzi elektronike. Sa për sqarim, nuk po përqas veten me këta kolegë, po rrekesha vetëm t'i gjegjesha pyetjes rreth jetëgjatësisë a jetëshkurtësisë së veprave.

Pas një teme shqiptare të tranzicionit shqiptar me shenjat e tij të përhapura në bregun matanë, për të cilat flet ky roman, çfarë mund të shkruash për Shqipërinë e pas 97-ës?
Do të ishte një listë intensive, ngaqë përpiqem të mos e dua, nganjëherë, por nuk ia dal dot. Ndaj e dua. Si ato dashuritë fatale, nuk rrimë dot pa to edhe pse në thelb forcën për t'u qëndruar larg kësisoj dashurive do ta kishim.


Shqipëria është pasionale, inatçore, e butë, e egër, bujare por edhe zhvatëse, injorante, por nxënëse e shpejtë ama (varet se çfarë i vë vetes për qëllim të nxërë - dhe në këtë pikë jo rrallë bën përzgjedhjen pragmatike në vend të asaj largpamëse). Shqipëria është gjithçka dhe kontradiksion i gjithçkaje. Si e tillë, mbetet fatalisht joshëse. Këtu kemi lerë. Jemi të dënuar ta duam!


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›