Elvira, në cilën karrierë?!
Aktorja Elvira Diamanti në ditët e fundit të 2009-s, më 30 dhjetor, është emëruar nga ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri, drejtore e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Detyra e fundit politike e Diamantit ka qenë ajo e shefes së protokollit pranë Presidencës së Republikës. Pak më herët, pra në 2008, ka lënë detyrën tjetër në krye të Teatrit të Kukullave, ku punoi për gati pesë vjet.
Në krye të Arkivit të Filmit erdhi pasi vendi u lirua nga emërimi i ish-drejtorit Artan Minarolli në krye të Qendrës Kombëtare Kinematografike, ku Diamanti është edhe anëtare e bordit. Rokada e karrierës së Diamantit duket se njeh më shumë emërime politike, sesa ta mbajmë mend si aktore. Megjithatë aktorja e gëzon edhe këtë anë të karrierës së saj që çdokujt i kujton direkt Marigonë, tek filmi “Përrallë nga e kaluara”, me regji të Dhimitër Anagnostit. Të tjerat është vështirë t’i vijnë në mendje publikut të ri të kinemasë, pasi edhe filmi më i fundit, i gati para dhjetë viteve, “Dasma e Sakos”, thuajse është “fshirë” nga kujtesa duke u shfaqur vetëm në festivalin e filmit në vitin 2000. Por në këto fillime të mileniumit të ri Elvira Diamanti “hante bukë” edhe në Teatrin Kombëtar, por gjithnjë në tentativë pa lënë ndonjë rol në kujtesë. Por Elvira mbeti sërish aktorja me sharm, krejtësisht indiferente, për të mos “luftuar” në Teatër, ashtu siç vazhdon e njëjta betejë, sot e kësaj dite.
Elvirës ndoshta i duhej më shumë egërsi, më shumë bërryla dhe egoizëm.
Ndoshta dhe asnjëra prej këtyre, pasi vetë Elvira siç është shprehur në media “dorëheqja” e saj nga Teatri ka qenë krejtësisht e ftohtë, me vetëdije duke u shprehur se nuk i pëlqenin komeditë, dhe shfaqjet ordinere që viheshin në teatër gjatë atyre viteve. Kështu që kjo karrierë skenike u mbyll mes ëndrrës, dhe një realiteti plot frikë, duke gjetur më siguri në një karrierë tjetër - atë të posteve drejtuese, që ngjajnë më shumë të jenë politike në Shqipëri.
Elvira Diamanti lindi më 30 nëntor të vitit 1962 në qytetin e Vlorës. Ka filluar karrierën e saj artistike me rolin Teutës, në filmin “Radiostacioni”, 1979, me regji të Rikard Larjes. Më pas do të vazhdonin shumë role në kinematografi dhe në teatër, por roli që e bëri të njohur është ai i Marigosë në filmin “Përrallë nga e kaluara” në vitin 1987, rol për të cilin do të vlerësohej me çmimin III në Festivalin VII të Filmit Shqiptar, në vitin 1987. Në vitin 1988 diplomohet në Institutin e Lartë të Arteve. Ka punuar deri në vitin 2002 në Teatrin Kombëtar dhe që prej këtij viti ishte drejtoreshë e Teatrit Kombëtar të Fëmijëve (ish-Teatri i Kukullave) deri në vitin 2008.