Çmimet, viti 2010 nis me çmime të larta
Të gjithë ne shqiptarët jemi mësuar tashmë, që në çdo fundvit duhet të shpenzojmë më shumë para për një produkt, që gjatë gjithë viti e blejmë me një çmim pak më të ulët. Ky është fenomeni që tregtarët shqiptarë e kanë të trashëguar prej vitesh. Ne, konsumatorët, ndonëse ky veprim nuk na pëlqen, vazhdojmë të jemi burimi i të ardhurave të tregtarëve abuzues edhe në fundvit. Ne blejmë, ndonëse çmimi ndryshon për çudi nga njëra-ditë në tjetrën, çka përligj arsyetimin tyre për rritje çmimesh në bursë, apo shtrenjtimin e euros kundrejt lekut. Në një nga supermarket pranë shtëpisë sime, në datat 30 dhe 31 të gjithë produkteve iu kishte ndryshuar çmimi, kryesisht atyre më të kërkuarat. E për çudi në mbrëmjen datës 30 raftet e supermarketit ishin gati të përgjysmuara. Madje një ndër produktet më të konsumuara, sheqeri, kishte mbaruar që në mesditë të datës 30 dhjetor. Pra, tregtarët i rrisin çmimet sepse ne i blejmë. Duket si një marrëveshje e pashkruar mes tregtarëve dhe konsumatorëve.
Por ndërsa në vitet e tjera, vihej re një ulje e çmimeve fill pas datës 1 dhe 2 janar, këtë vit ka ndodhur e kundërta. Dje në tregjet e pakicës çmimit ishin të fiksuara në vlerat e ditëve të fundit të dhjetorit. As edhe një lekë nuk ishin të ulura çmimet e frutave. Tregtarët janë justifikuar se i kanë importuar me çmim të lartë dhe nuk mund të bëjnë ulje. Ndonëse në njësitë tregtare këto ditë fuqia blerëse ka rënë, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me çmimet, ato vazhdojë të qëndrojnë të larta.