E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emërimet në arsim, kritere të reja për mësuesit e drejtorët e shkollave

05/03/2012  Shamata: Jo më emërime politike. Zgjedhja me konkurrim të hapur

Si do të bëhen aplikimet. Në përbërje të komisionit edhe specialistë të pushtetit vendor

Pranvera Kola

Kritere të reja për emërimet në arsim. Punësimi i arsimtarëve apo drejtuesve të rinj në shkollat e arsimit të detyruar apo gjimnazeve do të ndjekë një tjetër rrugë, e cila synon t’u japë fund të shumëpërfolurave emërime politike. Duke u ndalur në ndryshimet që mbart ligji i ri i arsimit parauniversitar zëvendësministri i Arsimit Halit Shamata bën me dije se përcaktimet e reja që mbart ligji do të shmangin abuzimet që janë bërë me emërimet e arsimtarëve në vitet e fundit. Përzgjedhja e tyre në çdo rast do të bëhet me konkurs të hapur, i cili do të mbikëqyret nga një komision ekspertësh, që u përkasin strukturave të qeverisjes vendore, drejtorive arsimore, këshillit të prindërve etj. Për vite me radhë për punësimet e reja në arsim apo shkurtimet e bëra janë lëshuar akuza të forta se janë zhvilluar nën frymën e bindjeve politike. Kjo situatë do të marrë fund me kriteret e reja të përcaktuara.

Konkurrimi

Konkurrimi i hapur do të jetë kushti bazë për punësimet e reja në radhët e mësuesve dhe drejtuesve të shkollës. Përzgjedhja e tyre do të bëhet nga një komision i ri specialistësh të disa njësive drejtuese, duke shmangur kështu përqendrimin e përgjegjësive në duart e drejtorive arsimore. "Kemi dalë në një qasje të re në përputhje me të gjitha standardet, në mënyrë që të mënjanojmë emërimet politike në arsim. Drejtori i shkollës, për shembull, do të përzgjidhet mbi bazën e një konkurrence të hapur. Domethënë drejtoria arsimore përcakton vendet vakant për drejtor shkollash dhe ata bëjnë aplikimet e tyre. Në shkollën ku është vendi bosh, një komision me një spektër shumë të gjerë përfaqësimi, prej pesë vetash, ku bëjnë pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, të drejtorisë arsimore rajonale për të zbatuar rregullat e lojës, kryetari i bordit të shkollës, që si rregull është një prind, bën pjesë dhe përfaqësuesi i qeverisë së nxënësve", - ka deklaruar zëvendësministri i Arsimit Halit Shamata.

Mësuesit

Për mësuesit janë përcaktuar edhe kushtet e reja sa u takon titujve profesionalë që duhet të kenë për të konkurruar për vendet vakante, të cilat i gjeni të detajuara bashkëngjitur shkrimit. Kështu, në arsimin parashkollor mësuesit do të jenë me arsim universitar 3-vjeçar dhe në arsimin parauniversitar mësuesit duhet të jenë me master. Njëkohësisht edhe drejtuesit e shkollave pas marrjes së konkursit dhe plotësimit të kritereve të provimit të shtetit do t’u jepet licenca që të ushtrojnë detyrën për një periudhë 5-vjeçare. Parashikohen edhe sanksione të forta në rastet kur do të evidentohen abuzime me detyrën.

Projekti ligjor që është hedhur për diskutim në radhët e grupeve të interesit dhe komisioneve parlamentare lidhur me procesin e emërimeve dhe largimeve nga puna të mësuesve përcakton: “Në institucionin arsimor publik për një vend të lirë pune mësuesi emërohet nga drejtori i institucionit me konkurrim të hapur pas propozimit të kandidturave të komisionit përzgjedhës. Komisioni ka në përbërje të tij një përfaqësues nga njësia arsimore vendore, një përfaqësues nga njësia përkatëse e qeverisë vendore, kryetarin e ekipit lëndor përkatës, kryetarin e bordit të institucionit dhe një mësues me mbi pesë vjet përvojë në ushtrimin e profesionit dhe me arritje të spikatura në atë institucion, i cili caktohet nga drejtori i institucionit pas konsultimit me këshillin e mësuesve. Procedurat e përzgjedhjes përcaktohen me udhëzim të posaçëm të Ministrisë së Arsimit.”

Komisioni

Komisioni për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj përbëhet nga një përfaqësues i njësisë arsimore vendore, një përfaqësues i njësisë përkatëse bazë të qeverisë vendore, kryetari i bordit të institucionit, kryetari i qeverisë së nxënësve për arsimin e mesëm të lartë si dhe një mësues me përvojë dhe me arritje të spikatura në atë institucion arsimor, i cili zgjidhet nga këshilli i mësuesve.

Kualifikimi që kërkohet

për punësimet në arsim

• Mësuesi në institucionin arsimor duhet të ketë fituar diplomën e mëposhtme në fushën e edukimit ose diplomë të njëvlershme me të.

• Mësuesi i arsimit parashkollor diplomë universitare të ciklit të parë të studimeve universitare “Bachelor”.

• Mësuesi i arsimit fillor, mësuesi i arsimit të mesëm të ulët dhe mësuesi i gjimnazit diplomë e ciklit të dytë të studimeve universitare.

• Mësuesi i shkollave të arsimit profesional që jep lëndë profesionale, ai i arsimit të orientuar dhe mësuesi që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara duhet të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë në fushën e edukimit.

• Diplomat e njëvlershme me diplomat e sipërpërmendura përcaktohen me udhëzim të ministrit.

• Mësuesi i arsimit fillor dhe i arsimit të mesëm ka të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesit pasi të ketë kryer me sukses praktikën profesionale dhe të ketë kaluar në provimin e shtetit, siç parashikohet në ligjin nr.10 171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, ndryshuar, dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.

• Institucionet arsimore që shërbejnë për kryerjen e praktikave mësimore të studentëve të mësuesisë dhe të praktikave profesionale të atyre që janë të diplomuar për mësues përzgjidhen në bazë të kritereve dhe procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.

• Mësuesi që ka të drejtën e ushtrimit të profesionit regjistrohet në ministri.

Shoqata kundër përjashtimeve në listat e përfituesve

Invalidët e punës përjashtohen

nga skema e ndihmës ekonomike

Invalidët e punës përjashtohen nga skema e ndihmës ekonomike. Përfaqësuesit e kësaj shtrese kanë dalë kundër vendimit të marrë nga qeveria për përjashtimin e tyre nga listat e trajtimit me ndihmë ekonomike, vendim i cili është marrë në mënyrë arbitrare pa u konsultuar me ta. Kreu i shoqatës së invalidëve të punës, Abdulla Omuri, ka deklaruar se ky ndryshim, që i përjashton ata nga skema e ndihmës konike, nuk mund të bëhet vetëm me një vendim të Këshillit të Ministrave, pasi më parë duhen bërë rregullime dhe ndryshime të tjera ligjore. Omuri shton se për të marrë një vendim të tillë qeveria duhet të kishte pyetur më parë edhe grupet e interesit. "Për çdo ndryshim që do të kishim a u morr vendimi ynë apo jo, ne duhej të ishim në dijeni. Deri tani nuk kemi asnjë informacion që familjet e invalidëve të punës duhet të përfitojnë ndihmën ekonomike. Janë të qarta kriteret ligjore dhe pushteti vendor duhet t’i ketë të sakta në bashkëpunim me shërbimin social", - konfirmon Omuri. Efektet e këtij ndryshimi janë ndier në shumë rrethe të vendit, ku shumë invalidë të punës kanë rezultuar të jenë jashtë listave të pagesës së ndihmës ekonomike, por që nuk u janë dhënë shpjegime se pse ka ndodhur kjo gjë. “Kam pasur disa shqetësime këto ditë dhe shkresa zyrtare nga disa invalidë të rretheve që më thonë se i kanë hequr nga skema e ndihmës ekonomike. Për shkelje të këtyre të drejtave invalidi bashkë me shoqatën u drejtohet organeve të drejtësie. Pra, ka ikur koha që ne themi me urdhra. Nëse pushteti vendor ka një shkresë zyrtare në konceptin tim juridik ne do ta disponojmë, ose vetë i interesuari duhet ta disponojë", - shton më tej muri. Me një vendim të nxjerrë në korrikun vitit të shkuar invalidëve të punës u është hequr ndihma ekonomike dhe nga shkurti i këtij viti deri në afate të pacaktuara ata dhe familjet e tyre do të jetojnë vetëm me pensionin e invaliditetit dhe atë të paaftësisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›