E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Emetimi i eurobondit, Malaj: 195 investitorë shprehën interes

TIRANË, 14 shkurt/ATSH/ Republika e Shqipërisë emetoi me sukses një eurobond me vlerë 650 milionë euro, me afat maturimi 10-vjeçar dhe normë interesi 5%.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, në një postim në rrjetet sociale bëri të ditur se për herë të parë interesi i investitorëve të huaj ishte shumë i lartë dhe numri i tyre arriti në 195.

“Ky emetim tregon se Shqipëria, falë reformave të ndërmarra, ka një ekonomi të qëndrueshme dhe besimi i investitorëve është tejet i lartë”, tha ai.

Sipas Malajt, ky është emetimi më i suksesshëm i Republikës së Shqipërisë, që prej emetimit të parë në vitin 2010.

Më 11 shkurt 2025, Republika e Shqipërisë doli në tregjet e kapitalit, duke emetuar me sukses një Eurobond me vlerë 650 milionë euro. Ky Eurobond u emetua me një kupon 4,75% dhe me një normë interesi (yield) 5%. Instrumenti ka një jetëgjatësi 10-vjeçare dhe do të maturohet në shkurt 2035

Kjo është hera e shtatë që vendi ynë i drejtohet tregjeve ndërkombëtare të kapitalit me instrumentin e eurobondit.

Eurobondi i parë është emetuar në vitin 2010 (me vlerë 300 milionë euro, maturim 5-vjeçar dhe interes 7,5%) dhe është shlyer në vitin 2015.

Eurobond-i i emetuar në vitin 2015 (me maturim 5-vjeçar), ishte në vlerë prej 450 milionë eurosh dhe me një normë interesi 4,75%.

Eurobond-i i emetuar në vitin 2018, ishte në vlerën prej 500 milionë euro, me maturim 7-vjeçar dhe normë interesi 3,5%.

Shqipëria mbylli në mesin e muajit nëntor 2021 daljen e saj të pestë në tregjet e kapitalit me një eurobond prej 650 milionë euros me një kupon prej 3,50% me interes 3,75%.

Në mesin e muajit qershor të vitit 2023, Shqipëria emetoi një eurobond me vlerë 600 milionë euro me një interes 5,9%.

Norma e interesit ishte më e lartë se eurobondi i emetuar në vitin 2021, si pasojë e kushteve të shtrënguara të financimit ndikuar nga agresioni rus në Ukrainë.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›