E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zbatimi me korrektësi i ndryshimeve në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, Tatimet trajnim biznesit

TIRANË, 14 shkurt/ATSH/ Administrata Tatimore ka nisur trajnimin e biznesit për zbatimin me korrektësi të ndryshimeve në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Drejtoresha e Proceseve të Biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Rozana Çelmeta u takua me përfaqësues të Dhomës Greke të Tregtisë për të diskutuar mbi risitë dhe zhvillimet në funksion të lehtësimit të procesit të deklarimit dhe të vetëpërmbushjes së detyrimeve tatimore nga tatimpaguesit.

Diskutimet lidhen me zhvillimet më të fundit lidhur me deklaratat e reja mujore dhe DIVA 2024, në zbatim të ligjit të ri të “Tatimit mbi të Ardhurat”.

Temat e trajtuara janë deklarata e tatimit në burim, listëpagesa, efekti i deklaratës së statusit personal, deklarata DIVA 2024, afati i deklarimit, etj.

Ndryshimet në ligj parashikojnë detyrimin për deklarimin e DIVA-s për të gjithë individët me të ardhura mbi 100 000 lekë në muaj ose 1,2 milionë lekë në vit dhe afat kohor 31 mars të vitit pasardhës.

Duke filluar nga periudha janar 2025, ka ndryshuar edhe deklarata e Tatimit të Mbajtur në Burim dhe të Ardhurave të tjera.

Deklarata e re, në krahasim me të mëparshmen ka disa ndryshime, por llojet e të ardhurave për të cilat mbahet Tatimi në Burim nuk ndryshojnë, ndërkohë që deklarimi i të dhënave është analitik dhe i detajuar.

Tatimi në Burim do të mbahet dhe deklarohet nga tatimpaguesi pagues në rast se ka një pagesë të kryer ndaj përfituesit të të ardhurave që mbahen në burim, duke vendosur datën e pagesës, si dhe në çdo rast do të vendoset shteti i rezidencës tatimore të përfituesit.

Afati i deklarimit dhe pagesës së Tatimit të mbajtur në Burim dhe të ardhurave të tjera mbetet i pandryshuar dhe është çdo datë 20 të muajit pasardhës të periudhës që po deklarohet.

Po ashtu ka ndryshuar edhe deklarata e listëpagesës. Tatimpaguesit dhe të punësuarit e tyre, aktual dhe ata rishtazi, duhet të ndryshojnë deklaratën mbi statusin personal. Çdo i punësuar ka të drejtën e përfitimit të zbritjes nga vlera e tatueshme e të ardhurave nga paga, të shumave të përcaktuara, në ligj, vetëm 1 herë gjatë 1 periudhe kalendarike mujore.

1 nga 5

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›