E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigrantët kthehen në Greqiradhë të gjata në pikat kufitare

KAPSHTICË- Pas festës së Pashkëve Ortodokse, emigrantët shqiptarë i janë drejtuar pikave kufitare për të rifilluar punën në vendin fqinj. Por që nga orët e para të mëngjesit, janë krijuar radhë të gjata në të dyja pikat e kalimit, në Kakavijë dhe Kapshticë. Shkak për këtë situatë të krijuar janë bërë defektet e kompjuterëve në palën greke.

Prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, pika doganore e Kapshticës ka qenë e bllokuar dhe asnjë shtetas shqiptar nuk ka mundur të kalojë në shtetin Helen, duke krijuar kështu radhë të gjata. Sipas drejtorit të kufirit, Ylber Zyberi shkak për këtë është bërë një defekt në sistemin kompjuterik të palës greke.

Për këtë janë bërë takime të vazhdueshme me autoritetet helene, të cilat kanë pohuar se kanë ngritur një grup pune për riparimin e defektit, por që deri në orët e pasdites kjo nuk ka ndodhur.

Ndërsa kanë qëndruar me orë të tëra në diell, emigrantët kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme, pasi janë me gra e fëmijë, ndërkohë që rrezikojnë dhe vendin e punës në shtetin grek, nëse nuk kthehen.

KAKAVIJË, PRISHEN KOMPJUTERAT GREKË, DHJETËRA EMIGRANTË NË RADHË

Dhjetra emigrantë shqiptarë të cilët kishin planifikuar të ktheheshin në Greqi pasi kaluan festën e Pashkës në Shqipëri nuk kanë mundur të kalojnë pasi sistemi kompjuterik i palës greke mësohet se është prishur.

Rreth 60 makina dhe 5 autobusë janë në radhë para doganës, që prej orës 11:00 duke krijuar një vijë rreth 3km të gjatë.

Drejtori i Kufirit Admir Abrija ka takuar homologun grek për të zgjidhur situatën, ndërsa qytetarët kanë këkuar një zgjidhje të menjëhershme për të kaluar kufirin pasi rrezikojnë vendet e punës dhe kanë fëmijë të vegjël.

(e.s/sg/ad.ti/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›