E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanceri i gjirit, mangësi në mbulimin me shërbime

TIRANË- Numri i grave të prekura me kancer gjiri në vendin tonë është rritur ndjeshëm, por mungojnë shërbimet për parandalimin e sëmundjes.

Specialisti i shëndetit publik, Alban Ylli, në një prononcim për mediat tha se rastet e evidentuara me tumor vazhdojnë të kapen në stade të vonshme, gjë që ka rritur ndjeshëm dhe numrin e vdekjeve.

Në këtë pikë, sipas tij, Shqipëria është shumë prapa edhe vendeve të rajonit, siç është Maqedonia, e cila ofron aktualisht rreth 85 për qind të shërbimeve për ekzaminimin klinik të gjirit dhe ofron shërbimin falas për mamografinë.

Në konferencën ndërkombëtare të shëndetit publik, që u zhvillua për 2 ditë me radhë në Tiranë, specialistët e shëndetit publik kërkuan që duke nisur nga viti i ardhshëm mjekët e qendrave shëndetësore të kryejnë ekzaminimin klinik të gruas, pasi vetëm në këtë mënyrë do të frenohet epidemia e tumorit që po merr shumë jetë grash e vajzash.
Sipas të dhënave të ISHP, mamografia ofrohet falas vetëm në spital, ndërsa në poliklinika ky ekzaminim kryhet me pagesë.

Specialistët e shëndetit publik thonë se jo të gjitha poliklinikat në vend janë të pajisura me mamografi dhe pjesa më e madhe e pacientëve detyrohet ta kryejnë atë në klinika private.

Të dhënat zyrtare të ministrisë së Shëndetësisë raportojnë për 4500-6000 raste të reja me tumor, ku kanceri i gjirit zë vendin e parë për numrin më të madh të të prekurve
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›