Emigrantët largohen nga Fakulteti Juridik në Athinë

Në orën 3 e gjysmë të ditës së sotme 237 imigrantët afrikanoaziatikë janë larguar nga ambientetet universitare pasi kishin zaptuar godinën e Fakultetit Juridik, ku që prej ditës së hënë kishin hyrë në grevë urie. Ata u vendosën në një ndërtesë private pranë fakultetit, po në qendër të Athinës. Grevistët vendosën të lirojnë godinën, pas kërkesës së rektoratit për ndërhyrjen e policisë, që mbërriti me forca të mëdha, duke bllokuar territorin përreth fakultetit ku ishin mbledhur në mesnatë me mijëra qytetarë në mbrojtje të grevistëve. Rreth 1.000 prej tyre shoqëruan emigrantët në godinën tjetër me marshim proteste. “Luajti rol shumë të madh qendrimi konstant dhe pjekuria e emigratëve, i përfaqësuesve të Komisionit të Solidaritetit edhe prokurorit” deklaroi Theodhoros Dhricas, zëdhënësi i partisë së majtë Siriza, i cila foli për “sukses pasi nuk mbizotëruan zërat eksteme për shkeljen e azilit” të universitetit. Për sukses të qeverisë, që siguroi “dalje paqësore” të grevistëve foli edhe zëdhënësi i qeverisë Jorgos Petallotis, pas mbledhjes së qeverisë deri në zhvendosjen e emigrantëve. Këta të fundit, të ardhur nga Kreta me ndihmën e forcave të majta dhe antiraciste shprehen të vendosur, për të vazhduar grevën e urisë, me kërkesë legalizimin e dokumentave të tyre.