Thaçi premton qeveri shumetnike dhe gjithpërfshirëse

Ndërsa në Kosovë kanë rinisur debatet për koalicioni e ardhshem qeverisës, kreu aktual i saj, Hashim Thaçi premton qeveri shumëetnike dhe gjithëpërfshirëse. Ai thotë se pavarësisht se me kë do të formojë koalicion PDK-ja, formacioni i ardhshëm qeveritar do të punojë në ndërtimin e një Kosove europiane e euro-atlantike. “Do të formohet qeveria, të gjitha institucionet e vendit në një periudhë të afatit të rregullt kohor, kushtetues dhe ligjor- ka thënë Thaçi. Natyrisht që duhet të kalohen procedurat e shpalljes së rezultatit zgjedhor dhe menjëherë do t`i përmbyllim angazhimet tona, për formimin e institucioneve të reja- shtoi ai. Këto komente, kryeministri në largim Hashim Thaçi i bëri në kremtimin e 5 vjetorit të themelimit të partisë së Pavarur Liberale Serbe SLS, e cila në kabinetin e kaluar qeveritar ka drejtuar 2 ministri, ministrinë e Punës dhe ministrinë e Kthimit. Kryetari i kësaj partie, Slobodan Petroviç tha se ajo çfarë e karakterizon këtë parti nga partitë tjera serbe është se politika me të cilën udhëheq ky subjekt politik merret sinqerisht me problemet dhe interesat e qytetarëve që jetojnë në Kosovë. Kjo, sipas Petroviçit është arsyeja pse SLS-ja ka fituar bindëshëm në zgjedhjet e fundit në komunitetin serb. PDK-ja ose Partia Demokratike e Kosovës, që doli fituese nga zgjedhjet parlamentare, ka rifilluar diskutimet për krijimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës. Rivotimet e kushtëzuara nga parregullsitë e shfaqura në zgjedhje, zvarritën edhe procesin e krijimit të qeverisë, por kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi, është zotuar se Kosova do të ketë qeverinë e re para trevjetorit të pavarësisë së vendit.