E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët lënë paratë jashtë Shqipërisë

Emigrantët shqiptarë po sjellin gjithnjë e më pak të ardhura në vend. Konstatimi vjen nga ana e Bankës së Shqipërisë,e cila gjithsesi bën të ditur se rënia në transferta mund të jetë edhe sezonale, pasi emigrantët kanë filluar që t’i kanalizojnë fondet drejt investimeve dhe jo konsumit. BSH bën të ditur se bilanci i transfertave korente, në fund të gjashtëmujorit të parë, u vlerësua në rreth 470 milionë euro. Peshën kryesore (rreth 79 për qind) të të ardhurave në këtë kategori, vazhdojnë ta zënë prurjet e emigrantëve shqiptarë me banim jashtë. Gjatë kësaj periudhe këto transferta kanë arritur nivelin 435 milionë euro dhe kanë financuar me rreth 39.2 për qind deficitin tregtar. Krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë këto transferta vlerësohen 7.3 për qind më të ulëta, pasi vihet re një zhvendosje e këtyre flukseve valutore, nga ato për përdorim korent në formën e investimeve.Të ardhurat e tjera Ekonomia shqiptare vazhdon të përfitojë të ardhura në valutë prej punës së punonjësve sezonalë dhe investimeve të rezervave valutore të sistemit bankar në institucionet financiare jorezidente dhe njëkohësisht, të paguajë interesat për borxhin e jashtëm. Rezultati neto i transaksioneve në të ardhura mbetet pozitiv edhe gjatë këtij gjashtëmujori, dhe vlerësohet në rreth 129 milionë euro me një rritje vjetore prej 33 për qind. Kjo rritje ka ardhur kryesisht nga investimet në formën e investimeve të portofolit dhe prej investimit të rezervës tonë valutore në institucione jorezidente. Njëkohësisht, të ardhurat dalëse në formën e interesave të borxhit të jashtëm vlerësohen rreth 10.6 milionë euro, me një rënie prej 5 për qind kundrejt të njëjtës periudhë, një vit më parë.Të ardhurat nga puna, në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, vlerësohen në rënie me rreth 63.4 për qind, duke regjistruar shifrën e 21 milionë eurove.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›