E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigrantët vijnë për Pashkë, fluksi i lartë në pikat e kalimit kufitar me Greqinë

Gjatë 48 orëve të fundit, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, kanë hyrë mbi 10.000 emigrantë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi.

Shumica e tyre po përfitojnë nga ditët e pushimit për të festuar Pashkën pranë familjarëve të tyre.

“Për Pashkë në Shqipëri, gjithmonë kështu vijmë. E kemi traditë. Radhë shumë e vogël,” tha një emigrant.

“Po, për Pashkët. Vijmë gjithmonë për festa. Me familjen, prindërit, fëmijët. Nuk kam qëndruar më shumë se 10 minuta. Nuk kishte radhë,” shtoi një tjetër.

“Tek prindërit, ku tjetër? Në vendlindjen tonë. Gjithmonë kështu vijmë. Na merr malli për vendin tonë. Nuk kishte radhë, shumë mirë ishte rruga,” tha një tjetër emigrant.

“Për të festuar Pashkët. Kështu vijmë vit për vit. Tani nuk kishte fare radhë,” u shpreh një tjetër qytetar.

Në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës po punohet me gjashtë sportele në hyrje. E njëjta masë është marrë edhe në pikën kufitare të Kristallopigisë, ku ndonëse ka fluks të lartë, nuk janë shkaktuar radhë të gjata.

Policia shqiptare ka komunikuar me homologët grekë për rastet kur fluksi paraqitet më i lartë, në mënyrë që të vijojë kalimi me procedurë të përshpejtuar për emigrantët e pajisur me dokumente greke.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›