E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigranti i kthyer në Çermë të Divjakës zbulon potencialin në kultivimin e duhanit

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Çerma e Divjakës, një nga zonat më të njohura të vendit për prodhimin e perimeve të freskëta, po zgjeron hartën e kulturave bujqësore edhe me duhanin, një kulturë që po dëshmon potencial për të ardhura më të larta dhe për zhvillimin e fermave familjare.

Në këtë zonë, fermeri Altin Kullolli ka kultivuar 1,2 hektarë me duhan, duke u bërë i pari që sjell këtë kulturë në Çermë. Vendimi për të investuar në duhan lindi pas rikthimit nga emigracioni dhe përvojës së fituar gjatë shtatë viteve të punës në Greqi.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla ndau në rrjete sociale historinë e Altinit dhe pamje nga ferma e tij e mbjellë me kulturën e duhanit.

“Kam punuar për shtatë vite në Greqi dhe vendosa ta sjell këtë përvojë në vendlindje. Besova se duhani është një kulturë fitimprurëse dhe mund të krijojë të ardhura të qëndrueshme për familjen”, u shpreh fermeri.

Sot, sipërfaqja prej 1,2 hektarësh është në kulmin e sezonit të vjeljes. Gjethet e duhanit po mblidhen dhe po kalojnë në procesin tradicional të tharjes, ndërsa fermeri thotë se kushtet e këtij viti kanë favorizuar një prodhim me cilësi të lartë.

Ai synon të ofrojë një produkt konkurrues që plotëson standardet e tregut dhe të zgjerojë aktivitetin në vitet e ardhshme, me objektivin për ta orientuar prodhimin edhe drejt eksportit.

Rasti i tij është një shembull se si rikthimi i emigrantëve dhe investimi në bujqësi po sjell modele të reja zhvillimi në zonat rurale, duke diversifikuar prodhimin dhe krijuar burime të reja të ardhurash.

Përvoja e fermerëve që investojnë në kultura me vlerë të shtuar dëshmon se bujqësia shqiptare po pasurohet me iniciativa të reja, të mbështetura te përvoja, teknologjia dhe kërkesa e tregut, duke i dhënë një dimension të ri zhvillimit të ekonomisë rurale.

Kultivimi është i përqendruar kryesisht në qarqet e Beratit, Fierit, Elbasanit, Korçës dhe Shkodrës.

Duhani kultivohet si nga fermerë individualë, ashtu edhe nga sipërmarrje të vogla bujqësore, me prodhimin që përdoret si për tregun vendas, ashtu edhe për eksport pas procesit të tharjes dhe përpunimit. Kjo kulturë vlerësohet për vlerën e shtuar që krijon dhe për kërkesën relativisht të qëndrueshme në treg.

Sipas të dhënave të INSTAT, duhani në vitin e  fundit shënoi një rendiment mesatar prej 19,3 kv/ha, me nivele më të larta prodhimi në qarqet Korçë, Fier dhe Vlorë.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›