E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Shndërrimi i shoqërive tregtare u jep bizneseve më shumë fleksibilitet

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj informoi sot bizneset mbi procedurën e shndërrimit të shoqërive tregtare, duke theksuar se ky është një mekanizëm ligjor që u jep mundësi sipërmarrjeve të ndryshojnë formën e organizimit të tyre pa ndërprerë aktivitetin ekonomik.

Në një mesazh informues, Ibrahimaj bëri të ditur se shndërrimi i një shoqërie tregtare është procesi përmes të cilit një biznes ndryshon formën e tij ligjore, duke ruajtur vazhdimësinë e aktivitetit dhe të drejtave e detyrimeve që burojnë prej tij.

Sipas saj, legjislacioni shqiptar parashikon që një shoqëri tregtare mund të ndryshojë formën e saj ligjore nga shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (ShPK) në shoqëri aksionare (SHA), si edhe anasjelltas, në përputhje me procedurat e përcaktuara në ligj.

Procesi i shndërrimit zhvillohet në disa etapa. Fillimisht kryhet aplikimi për thirrjen e ortakëve ose aksionarëve për miratimin e shndërrimit, duke përfshirë Shpalljen 1 dhe Shpalljen 2, në rastet kur këto kërkohen nga ligji. Më pas vijon aplikimi për miratimin përfundimtar të shndërrimit të shoqërisë.

Ibrahimaj u bëri thirrje sipërmarrjeve që, për informacion të detajuar mbi procedurën dhe dokumentacionin e nevojshëm, t’i referohen Ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, i përditësuar.

Ajo theksoi se njohja dhe zbatimi i saktë i këtyre procedurave u krijon bizneseve fleksibilitet për të përshtatur strukturën e tyre juridike me nevojat e zhvillimit, zgjerimit të aktivitetit apo tërheqjes së investimeve, duke garantuar njëkohësisht vazhdimësinë e veprimtarisë.

Ministrja ftoi bizneset të ndjekin publikimet e Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), ku publikohen udhëzues dhe informacione të përditësuara mbi shërbimet që ofrohen për sipërmarrjen në Shqipëri.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›