Emiliano Shullazi lirohet në prag të zgjedhjeve, Gjykata e Apelit mbyll procesin
Emiliano Shullazi, i njohur jo vetëm për shkak të precedentëve të tij penalë, por dhe për përfshirjen në fushata zgjedhore, pritet të dalë nga burgu pikërisht tani kur afron fushata elektorale.
Gjykata e Apelit e qytetit të Shkodrës ka pushuar çështjen në ngarkim të tij dhe në bazë të përllogaritjeve, Shullazi pritet të rifitojë lirinë.
Seanca në Gjykatën e Apelit në Shkodër ka zgjatur pak minuta, aq sa për tu komunikuar nga kryetari i trupit gjykues pushimin e çështjes në ngarkim të Shullazit e mikut të tij, Helidon Harizaj.
Çuditërisht në gjykatë janë paraqitur avokatët mbrojtës të të pandehurve, dhe pse kishin më shumë se 7 herë që bojkotonin seancat gjyqësore.
Avokatët Sokol Mengjeli, Ardian Skenderaj dhe Blerim Bazhdari kanë kërkuar heqjen dorë nga ankimimi i bërë prej klientëve të tyre, për vendimin e dhënë nga Gjykata e rrethit të Lezhës.
Kjo ka bërë që kryetari i seancës, gjyqtari Astrit Kalaja, të vendosë pushimin e çështjes, çka do ti sjellë lirinë dy të pandehurve.
Prej muajsh procesi në ngarkim të Emiliano Shullazit po ndiqte fatin e Dritan Dajtit.
Seancat gjyqësore në ngarkim të Shullazit dhe Harizajt nuk zhvilloheshin për shkak të mungesave të avokatëve, të cilët u zëvendësuan disa herë nga dhoma e avokatisë në Shkodër.
Emiliano Shullazi dhe Helidon Hariza u arrestuan me 29 qershor të vitit 2012.
Megjithëse policia deklaroi se me arrestimin e tyre bëri të mundur parandalimin e një vrasje, fakt është se në ngarkim të Shullazit dhe mikut të tij u ngrit vetëm akuza për armëmbajtje pa leje, kjo për shkak se në makinën e blinduar, gjatë arrestimit në Shëngjin, Shullazit iu gjetën dy pistoleta.
Për këtë vepër penale, Gjykata e Lezhës vendosi shpalljen fajtor të Shullazit dhe Harizajt dhe dha dënimin me 2 vite heqje lirie. Por për shkak të pranimit të veprës penale, gjykata vendosi gjykim të shkurtuar dhe në vendimin përfundimtar u vendos që Shullazi dhe miku i tij të vuanin dënimin me 1 vit e 4 muaj burg.
Por edhe ky vendim u apelua prej tyre, ku megjithëse nisi procesi gjyqësor në Shkodër, Shullazi dhe Harizaj nuk janë paraqitur asnjëherë në seancat gjyqësore, deri sa gjykata vendosi pushim e çështjes.
Duket se kjo ka qenë dhe strategjia e përdorur nga Emiliano Shullazit për të rifituar lirinë.
Tashmë ditët e burgut të tyre përllogariten si ditë paraburgimi, çka me heqjen dorë nga apelimi i çështjes, Shullazi përfiton menjëherë lirinë pasi dënimi i dhënë nga Gjykata e Lezhës përkon me ditët e tyre të paraburgimit, ku një ditë qëndrimi në qeli përllogaritet dy ditë burgu.
Në fakt nuk është hera e parë që Shullazi përfiton nga hapësirat ligjore apo dhe nga tërheqja e trupit gjykues. Kështu ka ndodhur edhe pas arrestimit të tij më 8 maj të vitit 2011, ditën e zgjedhjeve vendore.
Shullazi dhe 11 persona të tjerë u arrestuan në afërsi të zonës së Liqenit Artificial në kryeqytet, ndërkohë që më herët ishte shoqëruar në polici se kishte tentuar të prishte një tubim të Partisë Socialiste.
Asokohe Gjykata e Apelit në Tiranë ndryshoi masën e arrestit për Emiliano Shullazin, edhe pse gjatë arrestimit iu gjetën në makinë armë zjarri, thika dhe lëndë narkotike.
Shullazi u justifikua përballë gjykatës se nuk kishte dijeni për armët e gjetura në makinën e blinduar me të cilën udhëtonte, pasi e kishte blerë atë së fundmi në Amerikë. Ndërsa në lidhje me një pistoletë të gjetur në shtëpinë e tij, deklaroi se e mbante si suvenir dhe se e kishte blerë para 10 vitesh. Kjo bindi trupin gjykues, që në maj të vitit 2011 ti dhurojë lirinë Emiliano Shullazit.
L.Çela