Emisioni ‘3D’ në RTSH, Alibali: SPAK duhej të kërkonte leje në Kuvend

“Berisha, procedura dhe protesta”, ka qenë tema e emisionit ‘3D’ në RTSH drejtuar nga Alban Dudushi, ku janë trajtuar çështjet që kanë të bëjnë me procedurat në GJKKO për masat e sigurisë ndaj ish- kryeministrit Sali Berisha, si dhe thirrja e tij drejtuar opozitës për protesta dhe revolta.
Të ftuar në studion e emisionit “3D” për të diskutuar rreth kësaj teme dhe pyetjeve të ngritura janë të pranishëm juristja Brizida Gjikondi; Endri Shabani nga “Nisma Thurje”; gazetari investigativ, Adriatik Doçi, si dhe analisti, Neritan Alibali. Ndërsa në lidhje me Skype ka qenë avokati i Berishës, Genc Gjokutaj.
Pedagogu dhe analisti Neritan Alibali shprehet se ndonëse ka mendime të ndryshme rreth kësaj çështje, ajo që është e qartë është fakti se dispozita kushtetuese prevalon mbi ligjet e tjera.
“SPAK duhej të kërkonte leje në Kuvend, qoftë edhe për kufizimin e lirisë. Ka interpretime të ndryshme. Nëse një gjykatës konstaton se ligji bie ndesh me Kushtetutën, ajo duhet ta çoj në kushtetuese duke pezulluar gjyqin dhe duke kërkuar një mendim. Qëllimi është që, pasi të kalojnë të gjitha shkallët e gjyqësorit, avokatët e Berishës do ta çojnë në Strasburg. Nëse avokatët provojnë se procesi s’ka qenë i rregullt, ai zhbëhet si proces. Nuk marr përsipër të them është apo s’është fajtor. As SPAK nuk thotë se është fajtor, por thotë dyshim i arsyeshëm. Procedura garanton procesin.”, tha Alibali.
/rtsh.al/