E Martë, 3 Nëntor 2026

Emisioni ‘3D’ në RTSH, Kara: SPAK-u i vonuar në ngritjen e akuzave për Berishën

“Berisha i pandehur” ka qenë të hënën në mbrëmje kryefjala e emisionit ‘3D’ në RTSH i Alban Dudushit, ku të ftuar në studio kanë qenë Mentor Kikia, analist; Redi Ramaj, avokat; Halit Valteri, ish deputet dhe Romeo Kara, jurist.

Ai ishte ky zhvillim me ngarkesa edhe politike një sfidë për SPAK-un? A veproi drejt prokuroria në ngritjen e akuzave ndaj Berishës pa iu adresuar Kuvendit për çështjen e imunitetit? A ishte ky një veprim në kohën e duhur apo i vonuar nga drejtësia ndaj ish kryeministrit? Këto dhe shumë çështje të tjera ngjallën debat sa u përket këndvështrimeve të të ftuarve.

Juristi, Romeo Kara vlerëson se ky hap “është i vonuar si veprim” nga drejtësia në adresë të Berishës.

“Është i vonuar si veprim. SPAK ka një mision sepse shqiptarët duan drejtësi. Berisha është sistem, jo thjeshtë një person. Ai ka qenë garant i kapjes së shtetit. Dhëndri i tij pa asnjë aftësi del me 60 pasuri, me mijëra metra katror toka e troje. Ai i ka bërë me paratë e veta këto pasuri, por është përpjekur ti fshehë. Jam i bindur”, tha Kara.

Sipas tij, e gjithë historia me truallin e klubit Partizani është një histori mashtrimi, sepse toka është dëmshpërblyer një herë si pronë nga italianët.

“Kjo është e vërtetuar edhe nga i jati i Jamarbër Malltezit, Luan Malltezi që kur ishte në arkiv, me dokumente ka provuar që toka është dëmshpërblyer nga Italia. Kanë bërë falsifikime për ta shtënë në dorë. SPAK është bindur 100% që ka shkuar te Berisha.”, tha Kara.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›