Emisioni “3D” në RTSH, Kusari-Lila: Deklarata e Makron në Tiranë ishte presion publik ndaj Kosovës, s’vendos ai për vizat

Deklarata nga Tirana e presidentit francez, Emanuel Makron mbi mundësinë e pezullimit të vendimit për heqjen e vizave midis vendeve të BE-së me Kosovën, ka qenë të martën në mbrëmje në epiqendër të emisionit ‘3D’ në RTSH drejtuar nga Alban Dudushi me titull: “Makron nga Tirana ‘shuplak’ Kurtit”?
Deklarata e Makron ka qenë në analizën e disa personaliteteve të politikës së jashtme, analistëve, si dhe politikës kosovare si: Paskal Milo, ish-ministër i Jashtëm; kryetarja e grupit parlamentar të vetëvdnosjes në Kosovë, Mimoza Kusari-Lila, ish ambasadorit Agim Nesho, dhe analistëve Plator Nesturi dhe Neritan Alibali.
Kusari-Lila që në fillim e ka komentuar deklaratën e Makron si “presion” dhe, sipas saj, “kjo nuk është hera e parë që ai përdor vizat kundër Kosovës”.
Kusari-Lila ngriti pretendimin se Franca nuk mundet në mënyrë të njëanshme që të anullojë liberalizimin e vizave, pasi një seri shtetesh kanë marrë vendimin për këtë çështje.
“Ka votuar PE dhe Këshilli Ministrave të Brendshëm. Franca në mënyrë të njënashme nuk mund të pezullojë vizat. Të flitet për Kosovën për kushtëzime është paradoksale. Ai bëri presion publik kundër Kosovës me deklaratat e tij,” tha Kusari-Lila.
Sipas saj, këto qëndrime të tij janë në të njëjtën linjë edhe me kryeministrin Rama, pasi “Makron bashkë me Ramën ishin të parët që përmendën masat ndaj Kosovës nga BE, ende pa u bërë zyrtare”.
“Duheshin ashpërsuar masat ndaj Serbisë jo ndaj Kosovës pas sulmit. Nuk kërkohet dënimi i Serbisë, por përmenden kosovarët për lëvizjen e lirë. Presioni i Makron është i bashkërenduar me Ramën dhe jo më kot ai e bëri në Tiranë. S’e kuptoj këtë qasje të Ramës. Nuk i kategorizoj Ramën dhe Makron si argatë të Vuçiçit, por Serbia ndikon në destabilizimin e disa shteteve në rajon. Leksionet e demokracisë i japin votuesit jo të tjerët. Ne nuk ndryshojmë Serbinë, as Rama nuk ndryshon Kosovën. Ëndërra për aneksimin e Kosovës në veri nga Serbia nuk ka vdekur. Ai grup terrorist nuk ishte i izoluar, por kishte mbështetjen e Serbisë. Liderët nuk vlerësohen me besë apo pa besë, por nga marrëveshjet,” tha Kusari-Lila.
/rtsh.al/