Emisioni ‘3D’ në RTSH, Milo: Makron nuk duhej ta bënte deklaratën për pezullimin e vizave nga Tirana

Ish- ministri i Jashtëm, Paskal Milo, në emisionin ‘3D’ në RTSH, e ka komentuar deklaratën e presidentit Makron mbi mundësinë e pezullimit të vizave për Kosovën si të gabuar dhe të bërë “jo në vendin e duhur”.
Sipas tij, në thelb Makron i dha një goditje të fortë politike Kurtit, por ai nuk gjeti “as vendin, as kohën e duhur për të bërë një deklaratë të tillë”.
“Pritej që vendet e BE-së të dënonin me deklaratë të qartë atë që ndodhi më 24 shtator në Bajnskë. Të gjitha të dhënat të çojnë në Beograd. Ata deklarohen se presin hetimin. Kjo qasje është një qëndrim taktik që mban BE-ja, që nuk do ta godasë drejtëpërdrejtë Serbinë. Këtë taktikë e ka në funksion të anës gjeopolitike për Ballkanin Perëndimor, që të afrojnë Serbinë për të mos e lënë atë të bie në prehërin e Rusisë dhe Kinës.”, tha Milo.
Sipas tij, nuk ishte vendi që Makron ta jepte nga Tirana këtë mesazh sepse është kryqendra e shqiptarëve.
“E adresuar nga Tirana për në Prishtinë, deklarata merr forcë më të rëndë se çmund ajo të jepte në një vend tjetër. Kjo e vë në pozitë të vështirë edhe Tiranën. Ishte deklaratë aspak e baraspeshuar. Goditet Kurti fshikullohet lehtë Vuçiç. Jemi në pritje që të dënohet ajo që ndodhi në Veri të Kosovës.”, tha ish ministri i Jashtëm.
Sipas tij, Kurti ka qasjen e vet ndonëse kemi edhe kritika ndaj tij, pasi në momente të veçanta duhet të sillet si shtetar, por edhe si diplomat në raport me SHBA dhe BE.
“Makron është përfaqësues i fuqisë së madhe të BE-së sepse ka edhe instrumenta. Por duhet ta mbajë Kurtin në proces. Duhej goditur Serbia. Kurti ka bërë gjysëm hapi përpara për përsëritjen e zgjedhjeve.”, tha Milo.
/rtsh.al/