Emrat paraprakë të qeverisë së Rama-Meta
Qeveria e Rilindjes do të ketë 19 ministri. Ja 5 dikasteret e reja që krijohen
Edi Rama dhe Ilir Meta që nga dita që ndanë bashkë se kush do të jetë kryeministër dhe kush kryetar i Kuvendit kanë nisur të diskutojnë edhe për emrat e qeverisë së re. Edhe pse publikisht ata mohojnë se bisedimet për emrat e ministrave, e vërteta është se ata kanë hartuar një listë paraprake ministrash. Listë të cilën e ka siguruar edhe gazeta Tirana Observer. Megjithatë kjo listë deri në shtator kur do të betohet qeveria e re mund të pësojë ndryshime, por lista e mëposhtme do të jetë baza kryesore e kabinetit të Rilindjes.
Problemet
Por Edi Rama dhe Ilir Meta kanë hasur në një problem të rëndësishëm. Deputetët që propozohen për ministra nuk duan të lënë mandatin e deputetit, një kush ky i vënë nga dyshja Rama-Meta. deputetët kanë frikë se në rast shkarkimi si ministër, atëherë ata do të jenë jashtë politikës. Dhe ky ka qenë shkaku pse disa emra të kontaktuar nga Edi Rama për tu vërë ministra e kanë refuzuar ofertën e tij.
Emrat paraprakë
Kryeministri Edi Rama mendohet të marrë si zëvendësin tij në qeveri Pandeli Majkon, madje me privilegjin që mos ta lërë mandatin e deputetit. Majko do të jetë i vetmi deputet që do ta ketë këtë privilegj, por ky u fundit ende nuk ka dhënë një përgjigje finale për këtë propozim të Ramës. LSI pritet të marrë disa dikastere kryesore, si ministrinë e Mbrojtjes, ministrinë e Pushtetit Lokal dhe sërish ministrinë e Jashtme. LSI ka dëshirë që të marrë ministrinë e Bujqësisë dhe atë të Transporteve, por vështirë se Rama do ta pranojë këtë kërkesë, sepse në programin e PS bujqësia dhe rrugët zënë pjesën më kryesore.
Ministritë e reja
Për ta bërë sa më funksionale qeverinë, por edhe për të kënaqur aleatët shumtë, kabineti i Rilindjes do të ketë 5 ministri më shumë se kabineti aktual i Berishës. Rama dhe Meta kanë menduar që qeveria e re të ketë 19 ministri, aq sa ka pasur edhe qeveria e Fatos Nanos. Në këtë mënyrë, nga ministria e Brendshme do të ndahen Pushteti Lokal, në këtë mënyrë do të kemi ministrinë e Rendit dhe atë Pushtetit Lokal, nga ministria e Ekonomisë do të dalë më vete ministria e Energjetikës. Gjithashtu do të ndahet edhe ministria e Kulturës, Rinisë, Turizmit dhe Sporteve. Për të zhvilluar sa më shumë sportin në vend, ky sektor mendohet të ketë një dikaster më vete, ndërsa Rinia do të kalojë tek ministria e re e Emigracionit. Po ashtu do të ngrihet edhe ministria e re e Zhvillimit Rural që do ti përkushtohet zhvillimit të fshatit shqiptar.
Sot mblidhet Asambleja Kombëtare e PS
Partia Socialiste do të mledhë sot Asamblenë Kombëtare. Në këtë mbledhje do të diskutohet për pikat e programit qeverisës të 300 ditëve të para. Po ashtu do ti jepet mandati edhe Edi Ramës për të nisur negociatat me partitë aleate për ndërtimin e qeverisë së re.
Ben Blushi kandidat për kreun grupit parlamentar
Mazhorancës së re qeverisë i duhet edhe një kryetar grupi në Parlament që të jetë i aftë të mbrojë vendimet e qeverisë, aq më tepër që ministrat nuk do të jenë deputetë. E kush më mirë se Blushi mund ta bëjë këtë? Ndaj edhe Edi Rama do ti propozojë Blushit postin e numrit një të deputetëve socialistë. Por nuk dihet nëse Blushi do ta pranojë këtë ofertë.
Emrat paraprakë të qeverisë
Kryeministër, Edi Rama
Zëvendëskryeministër, Pandeli Majko (pa lënë mandatin)
Ministër i Jashtëm, Ditmir Bushati
Ministria e Ekonomisë, Mimi Kodheli
Ministria e Financave, Shkëlqim Cani
Ministria e Rendit, Taulant Balla
Ministria e Transporteve, Artan Lame
Ministria e Mbrojtjes, Luan Rama
Ministria e Sportit, Fidel Ylli
Ministria e Integrimit, Edmond Panariti
Ministria e Arsimit, Mimoza Hafizi
Ministria e Pushtetit Lokal, Ylli Manjani
Ministria e Energjetikës, Edmond Haxhinasto
Ministria e Bujqësisë, Ilir Beqja
Ministria e Kulturës, Fate Velaj ose Auron Tare
Ministria e Zhvillimit Rural, Ervin Bushati
Ministria e Drejtësisë, Spartak Ngjela ose Ilirian Celibashi
Ministria e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu
Ministria e Mjedisit, do ti përkasë PBDNJ (Vangjel Dule sdo jetë ministër)
Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, Eglantina Gjermeni
Ministria e Rinisë dhe Emigracionit, Erion Veliaj