E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama Qeveri ndryshe nga ajo e Berishes ja platforma jone

Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Rama deklaroi se shqiptarët me votën e 23 qershorit e kanë vënë këtë parti dhe koalicionin e drejtuar prej saj përballë një sfide të madhe.

I bindur në fitore, pavarësisht se s’ishte i pritshëm ky rezultat, kreu i PS-së garantoi një qeverisje të re me një model krejtësisht ndryshe nga ai që u instalua përgjatë këtyre viteve.  “Ishim të bindur në epërsinë e programit, skuadrës dhe koalicionit tonë, por asnjë nuk priste këtë rezultat: Ky rezultat është më shumë se një fitore, ajo është një përgjegjësi e madhe nga qytetarët. Së bashku me aleatët do të përballojmë sfidën për të ndryshuar Shqipërinë dhe për të realizuar programin e rilindjes. Në qeverisjen tonë nuk duhet të përsërisim gabimet e kundërshtarëve tanë, që na kanë lënë pas një libër me gabime. Qeveria e re do të bëjë gjithçka për të ulur nivelin e korrupsionit në vend dhe për funksionimin e shtetit. Reformimi, transformimi i administratës fiskale është një nga detyrat parësore për qeverinë”, vuri në dukje Rama. 
Sipas tij, PS në qeveri do të bëjë gjithçka për të ndërtuar një shtet modern.  “Qeverisja 2005-2013 do të hyjë si një qeverisje që kaloi e korruptuar tek kapja e shtetit. Kthimi i partisë në shtet bëri që politika të shkëput nga interesat e qytetarëve. Vota e 23 qershorit nuk na dha një  mandat të radhës për një qeveri të radhës, por që ne na vendos përballë dy anëve: ose të bëjmë histori ose të ndëshkohemi pas katër vitesh”, vlerësoi kreu i PS-së. Gjithashtu, në gjykimin e tij, prioritet është dhe ndarja e re territoriale, përpjekja për të unifikuar policinë në mbrojtje të qytetarëve, popullit, si dhe ndarja e menjëhershme e policisë nga krimi. 
Në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryetari Rama njoftoi se do të thërrasë një auditues ndërkombëtar për të realizuar një pasqyrë të paanëshme të vendit, duke filluar nga financat. Lideri socialist paralajmëroi gjithashtu njerëzit e tij se mandati që u kanë dhënë shqiptarët nuk lë më shkas për justifikime. 

Kryesocialisti mbrojti përpara Asamblesë Kombëtare vendimin për të ndarë mandatin e deputetit nga posti i ministrit, gjë që tha se forcon të dy këta role.
Ndonëse nuk e përmendi asnjëherë emrin e Arben Malajt, Rama propozoi plotësimin e vendit të lënë vakant prej tij në Kryesi, me Taulant Ballën, që salla e aprovoi përmes duartrokitjeve. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›