Emri i Maqedonisë dhe integrimi – një Mision i pamundur
Një formulë e re u gjend në deklaratat e evropianëve në ditën kur Maqedonia po priste Raportin vjetor të progresit. Ajo në fakt ngërthen dy çështje që duhet shkojnë paralelisht, aderimi në BE dhe emri. Analistët janë optimist aq edhe sa janë pesimist se një gjë e tillë mund të ndodh, para se gjithash duke pasur parasysh edhe afatin e shkurtër deri kur duhet të vendos Këshilli i Ministrave. Bisedimet për aderim në Bashkimin Evropian dhe zgjidhja e emrit të Maqedonisë me Greqinë të ecin me një rrugë. Ky ishte në fakt amaneti që autoritetet e Komisionit Evropian ia dhanë Këshillit të Ministrave për Shkupin zyrtar, në ditën kur u propozua Raporti i Progresit. Afat kohor nuk kanë vendosur, mund të shkojë një muaj apo dy vjet, nuk i dihet, por thanë se është e dëshirueshme që ky proces i dyfishtë të kryhet sa më shpejtë që është e mundur. Zëvendëskryeministrja Teuta Arifi ndërkaq kornizën e propozuar evropiane e sheh në frymën e qasjes kreative, të cilën e praktikon Komisioni Evropian. Duke marrë parasysh afatin e shkurtër edhe deri kur do të duhet të vendos Këshilli i Ministrave, pra dhjetori i këtij viti, por edhe Memorandumin që ditë më parë ia dërgoi Greqia Maqedonisë, analistët vlerësojnë se debllokimi për emrin është i vështirë.
“Mendoj se korniza që e propozon Bashkimi Evropian, respektivisht Fyle, nuk jam i sigurt se çka është saktësisht, nuk jam i sigurt se edhe ata e dinë me saktësi se çka është ajo korniza. Ky është ndonjë fillim i bisedimeve i kushtëzuar me problemin e emrit”, kështu shprehet analisti Petar Arsov, sipas të cilit, kjo është vetëm një përpjekje për debllokimin e procesit dhe paralelisht të instalohet procesi i emrit bashkë me këtë. “Kjo është shumë e vështirë, posaçërisht duke marrë parasysh se me këtë rast, pala greke tani ka dalë me Memorandum dhe ne që të ecim në atë drejtim, së pari duhet ta pranojmë atë memorandum”, thotë Arsov. Ai sqaron se memorandumi grek ashtu edhe siç është shkruar, është i papranueshëm për palën tonë. “Kështu që mendoj se nuk do të vijmë në situatë të marrin edhe ndonjë datë të kushtëzuar për bisedime”, thotë ai. Evropa, sqaron ai, në dhjetor vendos për datën dhe nëse ne deri në atë kohë nuk bëjmë diçka, atëherë pyetet nisma e Greqisë, e cila nuk besoj se pajtohet që ne të marrim një datë, sepse në fund të fundit - sqaron Arsov, kjo bëhet me konsensus brenda BE-së. “Kështu që realisht, afati është dhjetori dhe ne deri atëherë s’mund të bëjmë gjë”, thotë Arsov. Por, zëvendëskryeministrja për Çështje Evropiane, Teuta Arifi, mendon se korniza e propozuar nga komisari Shtefan Fyle lidhur me negociatat për anëtarësim dhe negociatave për çështjen e emrit, është në frymën e qasjes kreative të cilën e praktikon Komisioni Evropian, ndërsa ka për qëllim të kontribuojë në mbajtjen e fokusit në integrimin evropian. “Mendoj se ky është një moment shumë i rëndësishëm dhe ne duhet të shfrytëzojmë atmosferën pozitive dhe para së gjithash, përkrahjen që kemi nga partnerët e BE-së dhe të vazhdojmë me intensitetin e njëjtë të punojmë në reformat e agjendës evropiane. Mendoj se gjithashtu, është shumë e rëndësishme që Komisioni Evropian përmes propozimit për negociata në një kornizë të këtillë, në një mënyrë, dëshiron të mundësojë impuls plotësues për vendin tonë dhe besoj se do ta ruajmë qasjen konstruktive edhe lidhur me negociatat për emrin, me qëllim që të gjejmë një zgjidhje të pranueshme në mënyrë të ndërsjellë”, thotë zëvendëskryeministri. Ideja e Komisionit Evropian që të ofrojë paralelisht negociata për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe zgjidhje të kontestit për emrin është e mirë, që ngadalë të zbuten pozitat e fuqishme të Maqedonisë dhe Greqisë. Diplomatët grekë tanimë pranojnë se e kanë tepruar moti dhe se nuk mund të dalin nga ky kontest, ndërkohë që të gjitha vendet-anëtare të BE-së, përveç Greqisë, pajtohen se Maqedonia i plotëson të gjitha kushtet për fillim të negociatave. Këtë ndërkaq për agjencinë shtetërore të lajmeve Mia e thotë Augustin Palokaj, analist politik dhe korrespondent shumëvjeçar i gazetës "Jutarnji List" nga Brukseli, i cili thuajse dy dekada - prej së afërmi e ndjek zhvillimin dhe funksionimin e Bashkimit Evropian. Palokaj nuk dakordohet me mendimin se KE po propozohet vet, krahas Kombeve të Bashkuara, si ndërmjetës në zgjidhjen e kontestit të emrit. "Kjo është hera e parë që Komisioni të propozojë të hapen negociata për anëtarësim të Maqedonisë në BE dhe pas apelit së tyre të gjendet zgjidhje për këtë kontest, që është ide e mirë me të cilën do të mund t’u ndihmohet të dy vendeve. Greqia dhe Maqedonia aq shumë janë përforcuar në qëndrimet e tyre, që vetvetes nuk i kanë lënë kurrfarë hapësire për kompromis. Këtë ma pranojnë edhe diplomatët grekë viteve të fundit në Bruksel", thotë Palokaj. Sipas tij, Greqia do të ketë edhe 72 mundësi për bllokada pasi Maqedonia t’i fillojë negociatat për aderim në BE. Lidhur me atë se si pret që Këshilli i BE-së në Samitin në dhjetor reagojë për këtë rekomandim të Komisionit, Palokaj shprehet se për fat të keq, është me rëndësi si Greqia do ta lexojë dhe ta njoh këtë rekomandim. Ai shton se askush në Maqedoni nuk duhet të mashtrohet se dikush do të bëjë presion ndaj Greqisë. Mediat evropiane me të madhe raportojnë lidhur me zgjerimin e BE-së, se pas Kroacisë, deri në vitin 2020, asnjë vend tjetër kandidat nuk do të bëhet anëtar i BE-së. Me këtë pajtohet edhe analisti Palokaj. "Vetëm llogaritni numrat dhe do ta merrni përgjigjen. Kroacia i ka hapur negociatat në vitin 2005, i ka mbyllur vitin e kaluar, ndërsa hynë në BE në vitin 2013. Do të thotë se nga hapja e negociatave, deri në anëtarësim, Kroacisë i duheshin tetë vite. Nëse Maqedonia i hap negociatat në vitin 2013 dhe nëse nevojitet kohë po aq sa edhe Kroacisë, atëherë vendi i juaj do të bëhet pjesë e Unionit madje në vitin 2021", është i prerë Palokaj. Ndryshe, shefi i diplomacisë greke, Dimitris Avramopulos përmes një letre ditë më parë i ka ofruar homologut të tij në Shkup, Nikolla Popovski, Memorandum për mirëkuptim midis Greqisë dhe Maqedonisë. Aty përmbahen pika rreth çështjeve që tangojnë dy vendet. Ndërsa aty është edhe pika kyçe - kompromisi për kontestin e emrit, që do të përbënte një emërtim me përmbajtje gjeografike që do të ndante Republikën e Maqedonisë nga rajoni “Maqedonia” që gjendet në territorin e Greqisë.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”