Emronela Jaho, si murgesha Angjelika
Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho ka çelur sezonin artistik në Royal Opera. Harmonia e kontrasteve: një krim pasionant, vetëvrasja e një murgeshe, mashtrimi dinak; ishin tre “tregimet” e triptikut nga operat e Puçinit. Të gjitha të vendosura në kohë dhe vende të ndryshme, por që u sollën në një skenë të vetme, atë të Royal Operas. Arkitekti i këtij triptiku ishte Antonio Papano, një dirigjent që, kur bëhet fjalë për Puçinin, e sjell atë me gjithë mjeshtërinë e tij. Figura qendrore e tij ishte Motër Angjelika, që u interpretua në skenë nga sopranoja shqiptare Ermonela Jaho, e cila ka interpretuar disa herë me sukses në Royal Opera. Mes duartrokitjeve të pareshtura në sallë, publiku ka përshëndetur një sukses të merituar të sopranos sonë të talentuar. Jaho ka interpretuar me sukses në skenat më të famshme të botës. Vetëm pak muaj më parë ajo interpretoi në Arenën e Veronas operan ‘Traviata’. Violeta e bukur dhe joshëse ishte po aq e suksesshme sa murgesha Angjelika.