Drapri dhe Çekani, mysafirë në UET
Nostalgjia e socializmit dhe e gjithë simboleve të tij do të sillet javën e ardhshme në Universitetin Europian të Tiranës. Kësaj radhe, personifikimet e asaj periudhe si PTT-ja, bunkeri, vullnetarizmi etj. do të analizohen në një rrafsh akademik. Një konferencë shkencore do të mbledhë studiues nga Ballkani dhe për Ballkanin në ambientet e UET-it, për të analizuar sesi po ndodh në praktikë ky transformim, apo, siç preferojnë ta quajnë, transformimi në post-socializëm.
Metamorfoza e kabinës së telefonit në një Blackburry apo Iphone 4 në një Ballkan që është në tranzicion të vazhdueshëm do të sillet në një qasje akademike për të kuptuar kohën ku ne jetojmë. Konferenca ka si objektiv kryesor të identifikojë sesi sistemet politike dhe ekonomike funksionojnë në jetën e përditshme. Mënyra sesi është rikonfiguruar i tërë Ballkani në çdo nivel, nga shteti deri te mënyra e jetesës në fshat pas rënies së komunizmit.
Studiuesit do të analizojnë çështjet e nostalgjisë dhe nacionalizmit, i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë me tepri në gadishull. “Simbolet e socializmit do t’i nënshtrohen një analize thelbësore, pasi post-socializmi nuk mund të kuptohet pa periudhën e mëparshme”,- thotë profesori i Antropologjisë Sociale në UET, Nebi Bardhoshi. Kjo shkencë, për Bardhoshin, po merret me të tashmen dhe po e analizon atë duke mos e shkëputur nga e kaluara. Fjala kryesore në konferencë do të jetë Transformimi në post-socializëm.
Transformimi i simboleve dhe kuptimeve të tyre për studiuesit e antropologjisë sociale është i rëndësishëm, sepse nëpërmjet tyre dhe zhvendosjes së tyre në kohë ata arrijnë të na paraqesin dhe shpjegojnë efektet që ka sjellë te ne periudha e modernitetit.
Pakkush ka menduar ndonjëherë se, për shembull simbole nga ajo kohë, të tilla si bunkeri, ushtari, bluxhinset e saldatorit etj., do të ishin një rrëfyes i mirë i tranzicionit tonë, ose siç e quan studiuesi Bardhoshi i modernitetit në tërësi. Sipas tij, shqyrtimi me kujdes i këtij transformimi ka rëndësi, sepse nëpërmjet tij studiohen efektet e modernitetit. “Socializmi është thjesht një efekt dhe fragment i modernitetit. Ky i gjithi është në tranzicion”, - tregon ai. Këta studiuese do të tentojnë të paraqesin në konferencë se po riartikulohet krejt ideja e tranzicionit si proces.
Ndër temat që do të trajtohen nuk mungojnë edhe ato që lidhen me identitetin në të gjitha nivelet, dhe pasaporta si simbolikë e tij. Çështje tjetër do të jetë ajo e kufirit, e cila do të diskutohet në rrafshin e antropologjisë së Ballkanit dhe për Ballkanin. Kjo do të ketë një brendësi të veçantë, pasi po studiohet dhe analizohet në një rajon i cili është simbol i copëzimit, riformatimit të kufijve dhe ka kontribuar në shtimin e një fjale të re për të përshkruar dinamikat nacionaliste: ballkanizim.
Efektet e krizës botërore do të sillen në vëmendjen tonë, duke ngritur tezën se në fakt rajoni ynë ka qenë gjithmonë në krizë, që në socializëm dhe periudha tranzitore nuk ka sjellë ndonjë gjë të re. Konferenca treditore, që do të zhvillohet në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, do të jetë e hapur për të gjithë të interesuarit dhe nostalgjikët, për ata që kërkojnë të shpjegojnë simbolet e asaj kohe në këtë periudhë, që njihet si post-socializëm. Studiuesit janë lektorë dhe studiues të njohur nga Britania e Madhe, Greqia, Turqia, Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia etj.