Ende shpejt

Partia Republikane mendon se është ende shpejt për të filluar bisedimet me Partinë Demokratike për formulën e koalicionin ërpara zgjedhjeve të përgjithëshme të vitit 2009. arjan madhi, kryetar i deputetëve të PR-së i tha dje “Korrierit” se bisedimet mbi këtë çëhstje do të bëhen në çastin e duhur, por dhe se në një lloj mënyre mbeten në varësi të hartimit të Kodit të ri Zgjedhor.
Ndërsa aleatët e tjerë të djathtë kanë deklaruar se do të kërkojnë nga Partia Demokratike që për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të ruhet formula aktuale e koalicionit, republikanët vlerësojnë se është herët që të nisin diskutimet për këtë çështje. Kreu i grupit parlamentar republikan, Arian Madhi, thotë se vendosja e formulës së bashkëpunimit parazgjedhor PR-PD do të vijë në momentin kur diskutimet politike do të përqendrohen në këtë pikë. “Republikanët nuk kanë mbajtur një qëndrim akoma për këtë çështje dhe nuk kanë as rezerva për t’u shprehur. Megjithatë, ne mendojmë se është shumë herët që të nisin diskutimet, ku jemi një vit para periudhës parazgjedhore”, deklaron Arian Madhi, ndërsa thekson se përcaktimi i një formule për koalicionin parazgjedhor është një diskutim i nxituar. Sipas Madhit, e rëndësishme është që sërish pas zgjedhjeve të vitit 2009, e djathta do të jetë mazhoranca qeverisëse. Ai thekson se vetë Partia Republikane do të fillojë të orientohet pas ndryshime që do të bëhen në Kodin Zgjedhor. “Gjithnjë Partia Republikane orientohet nga një strategji. Ajo është pjesë e pandarë e një kontributi që e djathta shqiptare të jetë sërish një mazhorancë qeverisëse. Partia Republikane do të punojë, që të maksimalizojë sa më shumë përfaqësimin e saj në Parlamentin Shqiptar. Në këtë kuadër, Partia Republikane do të orientohet në kohën e duhur, sigurisht pasi të kenë përfunduar ndryshimet edhe në Kodin Zgjedhor dhe situatat politike të jenë pikërisht për krijimin e koalicioneve parazgjedhore”, thekson Arian Madhi. I pyetur nëse ekziston mundësia që në të djathtën shqiptare të krijohet një pol i dytë, si një mundësi “mbijetese” për aleatët, Madhi nuk e hedh poshtë si mundësi. “Unë ju thashë se do të shikojmë edhe mundësinë e maksimalizimit të përfaqësimit, në raport me ndryshimet që do të vijnë në Kodin Zgjedhor. Në atë pikë, absolutisht çdo gjë është e hapur”, përgjigjet Madhi. Edhe Madhi lë të kuptohet se, në rast se gjatë diskutimeve për ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk do të merren parasysh kërkesat e aleatëve, atëherë ekziston mundësia e bashkimit të forcave të djathta pa Partinë Demokratike. “Partitë duhet të orientohen jo vetëm në përputhje me mundësitë që jep ligji, por edhe me zhvillimet politike që do të jenë deri në momentin kur shkojmë në fushatë zgjedhore”, thekson Madhi. Ndërkohë, partitë e djathta aleate, si PDK-ja dhe PBLD-ja, kanë deklaruar se do të kërkojnë që koalicioni i ardhshëm me Partinë Demokratike të ketë të njëjtën formulë që ka aktualisht. Përndryshe, ata kërcënojnë se do të dalin të vetëm në zgjedhje. Megjithatë, duket se gjithçka varet nga ndryshimet që priten të bëhen në Kodin Zgjedhor. Pas ndryshimeve, sikurse deklarojnë vetë aleatët, do të shihen të gjithë opsionet e mundshme që ata të jenë të pranishëm në Parlament edhe pas vitit 2009.