E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia e amerikanëve

"Spiuni" takoi pak ditë më parë Agim Xhafkën, një koleg të hershëm, që njihet me nofkën "Kaso Kosa" te nënshkrimet e shkrimeve sarkastike. Ai i tha se sa herë vjen në Shqipëri, e zë koka nga pagesat. Xhafka jeton në Pensilvani, në SHBA, dhe për energjinë elektrike paguan vetëm 12 dollarë amerikanë në muaj. Kaq pak mo?!!!

Dje, në adresën online të "Spiunit" erdhi një faturë e detajuar e KESH-it, për një debitor: Leximi i muajit prill 2008: 29.04.08 56932. Leximi i mëparshëm: 24.03.08 56087. Konsumi i matur (nën tavan): 300 kWh herë 7 lekë për kWh, që bëjnë 2100 lekë. Konsumi i matur (sipër tavanit): 545 kWh herë 12 lekë për kWh, që bëjnë 6540 lekë. Ndriçim shkalle: 50 kWh herë 7 lekë për kWh, që bëjnë 350 lekë. Shuma 8990 lekë plus TVSH 20%, bëjnë 1798 lekë, barazim 10788 lekë. Poseduesi i faturës thotë se gatuan me gaz dhe se prej disa javësh nuk ka ndezur asnjë mjet ngrohës, sepse moti ka qenë i mirë dhe shtëpinë e ka me termoizolim. Kolegu Xhafka në Pensilvani, e paguan rreth 7 cent kilovatin, ose rreth 5 lekë të reja për kilovat/orë dhe kompania nuk ta heq asnjë sekondë rrymën elektrike. Pagesa më e rëndë, është ajo e gazit, mbi 200 dollarë në muaj, sepse atje bën për shumë muaj edhe minus 20 gradë, por ky pazar nuk ka lidhje me energjinë elektrike. Por drejtori i KESH-it, Gjergji Bojaxhi, atë që nuk arrin ta mbledhë me menaxhimin e ndërmarrjes, e mbledh me fatura të superfryra, rritje çmimesh dhe fatura aforfe. Siç e pranoi dje përpara deputetëve, kur debatoi me kreun e ERE-s, Bujar Nepravishta për tatëpjetën e ndërmarrjes. Kryeministri Berisha, demek, ka dalë kundër KESH-it disa herë kundër rritjes së çmimit të energjisë, por fatura është vulosur dhe ajo shkon tani sa një pension

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›